Pacolli: I dham leksion edukate e fisnikërie Serbisë

0

Behxhet Pacolli ka thënë se Serbia e fitoi ndeshjen e futbollit me dinakëri por e humbi betejën e qytetërimit.

“Ne u dhamë një leksion madhështor edukate, fisnikërie, fqinjve tanë.” ka shkruar Pacolli sot.

 

Më poshtë mund të lexoni adresimin e plotë të Behxhet Pacollit:

 

 

“E lashë stadiumin me ndjesi të përziera.

Një dëshpërim të madh për humbjen në momentin e fundit, por dhe një ndjenjë krenarie për sjelljen e publikut brenda dhe jashtë fushës.

Serbët ndoshta fituan në fushë me dinakërinë e tyre, por në mediat globale humbën betejën e qytetërimit ndaj nesh.

Ndaj dominoi krenaria ime, krenaria e shumë shqiptarëve dhe e dini pse?

Ne u dhamë një leksion madhështor edukate, fisnikërie, fqinjve tanë.

Ata që duke nisur nga një gur i vogël i një adoleshenti mbi autobuzin e tyre, donin të luanin kartën historike te vetëviktimizimit, te fqinjve tanë, pas kësaj ndeshjeje duhet të kenë mbetur të turpëruar. Përpjekja banale për të bërë protesta diplomatike për atë gur të vogël, kërcënimi i mjerë me mosluajtje të ndeshjes, u përplasën me dinjitetin e një kombi, i cili nuk u hakmorr për dhunën e Beogradit, por që luajti jashtë dhe brenda fushës me fisnikëri. Trajneri i serbëve u detyrua ta pranonte këtë të vërtetë të madhe duke vlerësuar atmosferën e jashtëzakonshme që krijoi tifozeria jonë. Ekipi ynë u soll me shumë sportivitet deri në fund.

Megjithatë si njeri që kam provuar në jetë shumë vështirësi dhe momente kënaqësie profesionale dhe njerëzore, kam një këshillë. Na duhet njëlloj edukate emocionale të gjithëve brenda dhe jashtë fushës. Duhet të luajmë deri në fund, duhet ta mbështesim Kombëtaren deri në fund, duhet të jemi realistë për atë se çfarë jemi ne dhe çfarë janë të tjerët. Tani falë kësaj Kombëtareje jemi ngjitur shumë lart dhe kemi ende shpresa. Ndaj duhet të sillemi si të mëdhenj, duhet të kemi besim dhe të inkurajojmë djemtë e Kombëtares deri në fund. Humbëm një betejë, por lufta vazhdon. Beteja e radhës zhvillohet në Armeni.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here