Pacientja me kancer, e rrahë mjeken, e kërcënon se do t’i hedhë acid në fytyrë

0

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e diel pranë spitalit Onkologjik në Tiranë, ku një mjeke dhe një infermiere janë sulmuar nga pacientja e tyre e diagnostikuar me kancer. Historia ka nisur rreth 1 javë më parë brenda ambienteve të spitalit dhe sipas policisë Mimoza Bedini ka kërcënuar mjeken onko-gjinekologe Silvana Çeliku, duke i kërkuar që të kryente kimioterapinë pa radhë, sepse pretendonte që ishte në gjendje të rëndë.

Por kjo gjë nuk është pranuar nga mjekja 55 vjeçare, çka ka sjellë edhe irritimin e pacientes Bedini, e cila vuante nga kanceri në qafën e mitrës në një fazë të avancuar. Jo vetëm mjekja Çeliku ka mbetur e sulmuar nga pacientja e saj, por sulmit nuk i ka shpëtuar as infermierja me inicialet S.K. Në këto kushte, Silvana Çeliku ka bërë denoncim pranë Komisariatit të Policisë nr.4., ndërsa pacientja u ndalua nga policia dhe do të ndiqet në gjendje të lirë për shkak të sëmundjes së saj. Në një intervistë për gazetën, “Shekulli” mjekja Silvana Çeliku(në fotografi me këtë tekst), tregon ngjarjen që, sipas saj i vetmi gabim i bërë është se, e ka mjekuar si duhet pacienten Mimoza Bedini, ndërsa kjo e fundit e ka kërcënuar se do t’i hedhë acid në fytyrë.

Doktoresha Çeliku, si është e vërteta e sulmit të ndodhur dy ditë më parë ndaj jush?

Fillimisht, Mimoza Bedini më ka goditur me grushte dhe me çantën që kishte në dorë. Ajo ishte në korridorin e katit të parë, ndërsa unë po kryeja detyrën time, por nuk qenka e thënë. Bedini, kërkoi të futej pa radhë, ndërkohë që kishte shumë pacientë të tjerë të cilët ishin edhe më keq se ajo. Në këto momente, Bedini më ofendon dhe më godet me grusht në fytyrë. U tremba, sepse nuk e prisja që pacientes që e kam ndihmuar më shumë të më sulmonte në atë mënyrë.

Çfarë bëre më pas?

Jam futur me shpejtësi brenda dhomës së vizitave, por nuk munda ta mbyll derën. Më pas Bedini ka hyrë me forcë brenda dhomës dhe vetëm vazhdonte duke më sharë dhe ofenduar. Kanë qenë me dhjetëra paciente që më kanë ardhur në ndihmë, duke e larguar nga dhoma ime Mimozën. Por dhunës nuk i ka shpëtuar as ndihmësja ime, infermierja S.K., e cila edhe ajo mori disa goditje të mira.

Është e vërtetë që ju e keni provokuar pacienten Mimoza Bedini?

Më vjen shumë keq për atë që ajo thotë. Kam kamerat dhe 100 dëshmitarë. I vetmi faj i imi është që i kam dhënë ndihmë mjekësore dhe e kam kuruar siç duhet. Drejtësia le të vendosë!

Cili ka qenë shkaku që u ka sulmuar pacientja juaj?

Historia ka nisur rreth një javë më parë, kur Bedini më kërcënoi pse nuk e futa pa radhë që të kryente vizitat mjekësore. Jam e bindur se pacientja ime e kishte paramenduar sulmin e bërë ndaj meje, sepse ditën e diel unë nuk kisha të bëjë fare me të, ndërsa ajo më kërcënoi se herës tjetër do të më hedh acid në fytyrë. Në këto kushte mora policinë në telefon dhe bëra kallëzim penal pranë Komisarit nr.4., dhe e përsëris edhe njëherë, le të vendos drejtësia, tani!

Pacientja mohon: Më dhunuan të afërm të mjekes

Nga ana tjetër, vetë pacientja Mimoza Bedini ka mohuar ngjarjen në fjalë kur është pyetur në polici, duke pretenduar të kundërtën, ku sipas të akuzuarës, ajo është dhunuar nga disa të afërm të mjekës Silvana Çeliku. Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, Mimoza Bedini do të ndiqet në gjendje të lirë, pasi është e diagnostikuar me kancer dhe nuk mund të qëndrojë në qelitë e paraburgimit.

Reagimi

Pas aktit të dhunës së ndodhur ndaj një mjekeje dhe një infermiere në krye të detyrës, ditën e djeshme ka reaguar Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Në deklaratë theksohet se, “dhuna e ushtruar ndaj bluzave të bardha në krye të detyrës është dhe mbetet një akt i shëmtuar, prandaj Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT është e vendosur të inkurajojë organet kompetente që të vendosin drejtësi, si dhe u bën thirrje qytetarëve të respektojnë figurën e personelit shëndetësor në detyrë dhe të denoncojnë çdo rast abuziv.

Sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, t’u japim atyre mbrojtjen e merituar përmes një sistemi cilësor shëndetësor dhe t’u krijojmë profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi, prandaj Ministria e Shëndetësisë gjen rastin për të përsëritur thirrjen e saj drejtuar të gjithë qytetarëve që hasin vështirësi në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor, apo përballen me kërkesa për pagesa nën dorë, të denoncojnë menjëherë”, mbyll reagimin zyrtar ministria e Shëndetësisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here