OVL e UÇK-së: “Ibrahim Rugova ishte kundër UÇK-së dhe luftës së saj, Sali Berisha e arrestoi Adem Jasharin e Zahir Pajazitin”

0

 
PRISHTINË, 19 SHKURT – OVL e UÇK-së ka dalë sot me një reagim publik rreth dekorimit të 19 figurave nga Republika e Kosovës nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Kjo organizatë e ka quajtur këtë vendim me implkime politike dhe shumë tendencioze. “Është e ulët që Presidenti i Shtetit Amë, si personalitet që përfaqëson frymën e unitetit të kombit, të bëjë veprime të instrumentalizuara dhe të keqpërdorë pozitën e të parit të shtetit të futë përçarje brenda shqiptarëve”, është shprehur OVL e UÇK-së. Kjo organiziatë i ka thënë presidentit Nishani se bartësi i politikës paqësore të Kosovës së paraluftës “Njeriu i Velanisë”, duke iu referuar ish presidentit Ibrahim Rugova, ka qenë kundër luftës së Kosovës për liri dhe kundër UÇK-së, ndërkaq “bashkapartiaku i Nishanit, Sali Berisha po ashtu e ka penguar luftën madje i ka arrestuar Adem Jasharin e Zahir Pajazitin”.
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të OVL të UÇK-së.

REAGIM

Më 16 shkurt 2015, në një ceremoni zyrtare të organizuar në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë, me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, dekoroi nëntëmbëdhjetë figura nga Kosova me motivacion si “persona me kontribute në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës, me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë”.
Si Organizatë e Veteranëve të Luftës e UÇK-së, shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën tonë lidhur me këto dekorime, të bëra në këtë datë historike, pasi që implikimet politike në dhënien e këtyre dekoratave janë të mëdha dhe shumë tendencioze.
Pa u ndalur në emra të përveçëm të të dekoruarve, ia kujtojmë Presidentit Nishani, se vija politike paqësore e konkretisht bartësi i saj, Njeriu i Velanisë, asnjëherë për të gjallë të tij, në asnjë fazë të luftës për liri as pas saj, nuk e ka njohur as nuk e ka pranuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje, e ka quajtur “dorë e zgjatur e Serbisë”. Një gjë të tillë e ka bërë publikisht në janar të vitit 1997, kur krahas kësaj në një konferencë për shtyp të mbajtur në Prishtinë ka kërkuar edhe ardhjen e Interpolit për të zbuluar aksionet e armatosura që po i kryente UÇK-ja kundër forcave policore e ushtarake serbe. Si rezultat i kësaj thirrjeje, brenda dy javësh, policia serbe burgosi mbi 100 të rinj e të reja shqiptare, në mesin e tyre u burgosën dhe u vranë edhe disa prej krerëve drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, kur ndodhi Epopeja e Prekazit, në mars të vitit 1998, kur komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u sakrifikua me tërë familjen dhe lagjen Jashari, mbi pesëdhjetë veta, ndonëse Drenica po digjej në flakë, Njeriu i Velanisë nuk e pa të arsyeshme të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, për më tepër i mbajti “zgjedhjet e lira” në Kosovë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë! Edhe pas përfundimit të luftës, të cilën e fitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës me përkrahjen e aleatëve të NATO-s në krye me SHBA-të, Njeriu i Velanisë asnjëherë për të gjallë të tij nuk e mori guximin të shkojë në Prekaz për të nderuar sakrificën e Familjes Jashari, as të asnjë pjesëtari të UÇK-së në mbarë Kosovën.
Gjithashtu edhe bashkëpartiaku juaj prej nga vini, Sali Berisha, nuk është prapa në këtë drejtim. Janë skandaloze veprimet e tij kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në territorin e Shtetit Shqiptar, derisa në krye të tij ishte Sali Berisha, ku përveç tjerash edhe i arrestoi e mbajti ne burgje, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe Heroin e madh të luftës së UÇK-së Komandant Zahir Pajazitin. Madje stafi më i ngushtë i Berishës, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të ngushtë të familjes së tij, për vite të tëra mblodhën materiale kundër UÇK-së me qëllim të komprometimit dhe shkatërrimit të strukturave të UÇK-së që arritën ta mbijetojnë luftën.
Është e ulët që Presidenti i Shtetit Amë, si personalitet që përfaqëson frymën e unitetit të kombit, të bëjë veprime të instrumentalizuara dhe të keqpërdorë pozitën e të parit të shtetit të futë përçarje brenda shqiptarëve.

Prishtinë 19 shkurt 2015
Kryesia e OVL të UÇK-së
Kryetari Smajl Elezaj u.d.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here