OSBE dhe AGK me projekt për vetdijësimin e gazetarëve që t’i raportojnë kërcënimet

0

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot një fushatë vetëdijesimi për të inkurajuar gazetarët të raportojnë rastet e frikësimeve, kërcënimeve dhe shantazheve.

Kjo mund të bëhet në linjën e re telefonike falas të themeluar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Fushata me billborde në gjuhën shqipe, serbe dhe turke në mbarë Kosovën do të vijojë për një muaj dhe ka për qëllim informimin e komunitetit të gazetarëve rreth kësaj linje telefonike dhe përdorimin e informative të marra për të ndihmuar organet e zbatimit të ligjit në marrjen e masave e duhura.

“Vitet e fundit kanë qenë mjaft të vështira për gazetarët në Kosovë. Së paku 27 gazetarë janë kërcënuar, sulmuar ose keqtrajtuar në vitin 2014,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Trendi mbetet i njëjtë edhe për vitin 2015 me 22 raste të regjistruara deri më tani. Për këtë arsye kemi përkrahur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të themelojë linjën telefonike falas përmes Telekomit të Kosovës, linjë që do të përdoret nga gazetarët për të raportuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konfidenciale sulmet ndaj tyre.”

“Gazetarët duhet të jenë të lirë të raportojnë për tema të ndjeshme në interes të publikut. Dështimi për të hetuar sulmet ndaj tyre inkurajon sulmuesit të vazhdojnë me veprime të njëjta dhe të sfidojnë gazetarinë e mirë,” shtoi ai.

Zekirja Shabani, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha: “garantimi i sigurisë së gazetarëve kërkon mbështetjen dhe ndihmën e të gjithëve. Për këtë arsye po fillojmë më këtë linjë telefonike falas në dispozicion 24 orë ku gazetarët mund t’i shprehin ankesat, shqetësimet ose kërcënimet. Kjo linjë do të na ndihmojë të krijojmë një regjistër me informata të dorës së parë për rastet që përshijnë gazetarët e të cilat do të përdoren për të mbrojtur më mirë gazetarët dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të sulmuesve.”

Linja telefonike falas për raportim të kërcënimeve ndaj gazetarëve është 0800 11 333.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes dhe përkrah zhvillimin e mediave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here