Opozita: “Policia po na pengon”, Policia: “Nuk po i pengojmë”

0

Policia e Kosovës, ka reaguar pas deklaratave të opozitës se PK-ja, po i pengon protestuesit të udhëtojnë në Prishtinë.

“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimet dhe deklarimet e publikuara sot (09.01.2016) në media dhe portale, se kinse Policia e Kosovës po i ndalon dhe pengon protestuesit që në mënyrë të organizuar me autobus të vijnë nga rajonet e ndryshme në Prishtinë, ky deklarim nuk është i vërtet dhe nuk qëndron.

Po ashtu edhe deklarimi në media se kinse Policia e Kosovës ka rrahur dhe maltretuar protestues të ndryshëm duke përfshirë ata nga Shqipëria, nuk qëndron dhe nuk është aspak i vërtetë.

Ashtu siç e kemi bërë të ditur Policia e Kosovës (PK) me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ, për tu kujdesur për sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmerinë e ligjit, si dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet.

Andaj referuar planit policor si dhe përgjegjësive ligjore që kemi, PK-ja është duke ndërmarr veprimet e saja konform autorizimeve ligjore duke përfshirë edhe kontrollin në komunikacionin rrugor, por në asnjë rast të vetëm nuk ka ndaluar dhe penguar qarkullimin e asnjë autobusi në asnjë rajon.

Ndërsa në pikën kufitare që lidhë Republikën e Kosovës me atë të Shqipërisë, bazuar në procedurat ligjore kufitare, një numri prej dyzet e dy (42) personave ju është refuzuar hyrja.

Policia e Kosovës e ri-thekson se njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste, i cili edhe është prioritet i yni”, thuhet në reagimin e PK-së.

Por Vetëvendosje e ka thënë të kundërtën. “Dhjetëra mijëra protestues janë nisur nga e gjithë Kosova. Pjesëmarrja masive e qytetarëve po konfirmohet vazhdimisht nga kontaktet me aktivistët që janë organizatorë të nisjeve me autobusë.

Frika nga masiviteti e ka bërë pushtetin që të mobilizohet për të ndaluar autobusët dhe për të mos lejuar ardhjen e protestuesve.

Deri tash:
– Janë ndaluar autobusët që po vinin nga Kamenica dhe pothuajse gjysma e protestuesve janë detyruar të dalin jashtë dhe të mos udhëtojnë me autobusë.
– Janë ndalur autobusët që po vinin nga Mitrovica dhe policia ka kontrolluar deri në detaje secilin protestues.
– Janë ndalur autobusët që po vinin nga Gjilani dhe policia ka kontrolluar deri në detaje secilin protestues.
– Janë ndalur autobusët që po vinin nga Gjakova dhe policia ka kontrolluar deri në detaje secilin protestues.
– Në Shtime, Policia ka ushtruar presion ndaj vozitësve të autobusëve duke tentuar që t’i largojnë autobusët para se të vijnë protestuesit.

Policia po e provokon situatën. Liria e protestës, e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, po cenohet. Po ashtu liria e medieve dhe e fjalës së lirë po cenohet.

Masiviteti popullor kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit nuk mund të ndalet me metoda policore. Protesta do të jetë madhështore dhe Qeveria do të tërhiqet!”, ka shkruar Vetëvendosje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here