Obama: G7 unik në mbështetje të Ukrainës, sanksionet ndaj Rusisë vazhdojnë

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama tha në mbyllje të takimit të Grupit të Shtatëshes në Gjermani se udhëheqësit e këtij grupi janë të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe se sanksionet ndaj Rusisë do të vazhdojnë. Takimi i nivelit të lartë që u mbajt dje dhe sot, u përqendrua edhe tek kriza në Greqi, por edhe tek çështje të klimës dhe energjisë.

Presidenti Obama tha në një konferencë për shyp se Grupi i Shtatëshes vazhdon të jetë i bashkuar në mbështetjen për Ukrainën dhe se do të vahdojë të japë mbështetje ekonomike dhe ndihmë teknike për të cilën ka nevojë vendi ndërsa vazhdon reformat kritike për të transformuar ekonominë dhe forcon demokraci.

“Siç pamë përsëri ditët e fundit, forcat ruse vazhdojnë të veprojnë në Ukrainë, duke shkelur sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës. Është viti i dytë radhas që Grupi i Shtatëshes takohet pa Rusinë, një shembull tjetër i izolimit. Çdo anëtar i G7-ës vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë si reagim ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës”.

Presidenti Obama përmendi pasojat ekonomike të sanksioneve ndaj ekonomisë ruse dhe tha se i takon presidentit Vladimir Putin ta ndryshojë gjendjen. Zoti Obama tha se aktualisht po zhvilliohen diskutime për hapa të mëtejshme nëse Rusia instensifikon përfshirjen në Ukrainë, por se këto diskutime janë ende në nivelin teknik.

Për vazhdimësinë e sanksioneve, në varësi të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit, Presidenti Obama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kishin rënë dakord edhe në një takim dypalësh të dielën.

Kancelarja Merkel i tha televizionit gjerman ARD se Moska duhet të mbetet jashtë “komunitetit të vlerave” të G7-ës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte ftuar të merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë për të dytin vit radhaz. Ai u përjashtua për herë të parë vitin e kaluar, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë.

Por Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën se e kishte përshkallëzoi situatën para takimit në mënyrë që të vazhdojnë të jenë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë.

“Në këtë situatë, duke marrë një qëndrim ku sanksionet kundër Rusisë lidhen me zbatimin e marrëveshjes së Minskit vetëm nga Rusia, partnerët tanë perëndimorë u bënë pengje të qeverisë aktuale të Ukrainës”.

Në konferencën e sotme për shtyp, presidenti Obama foli edhe për ekonominë tha se G7-a kishte rënë dakord se rruga më e mirë për rimëkëmbje është rritja ekonomike dhe shtimi i vendeve të punës. Duke u ndalur tek Greqia ai tha se vendit do t’i duhet të marrë vendime të vështira.

“Në Evropë, ne mbështesim përpjekjet për të gjetur rrugët që i japin mundësi Greqisë që të ndërmarrë reformat vendimtare dhe t’i rikthehet rritjes ekonomike në një Eurozonë të fortë, të qëndrueshme dhe në rritje”.

Presidenti Obama iu përgjigj edhe një pyetjeje për FIFA-n duke thënë se nuk mund të fliste për një çështje që është ende nën hetim, por shtoi se futbolli është një lojë, një biznes masiv por edhe burim i një krenarie të jashtëzakonshme, prandaj njerëzit duan të sigurohen që të funksionojë me integritet.

Udhëheqësit e Shtatëses mbajtën sot takime edhe me homologët e vendeve afrikane.

Në takimin dyditor morën pjesë kancelarja Merkel, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Kryeministri japonez Shinzo Abe, Kryeministri kanadez, Stephen Harper, Presidenti Obama, Presidenti francez Francois Hollande, kryeministri britanik David Cameron, kryeministri italian, Matteo Renzi dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here