Nxënësi që vdiq nga leukemia kthehet si emër i bibliotekës së shkollës

0

Në përvjetorin e vdekjes së Besart Gashit në Shkollën “Lasgush Poradeci” të Kijevës së Malishevës u përurua biblioteka me emrin e tij.

Gashi ishte nxënës i kësaj shkolle, ndërsa vdiq më 30 shtator të vitit të kaluar, pas një lufte dyvjeçare me leukeminë.

Vëllai i tij Qëndrim Gashi që ishte në një klasë me të ndjerin, bashkë me shokët e tij dhanë idenë për një bibliotekë që do të mbante emrin e Besart Gashit dhe nisën pastaj realizimin e saj.

Sot në ditën e përurimit të bibliotekës, teksa foli për vështirësitë gjatë mbledhjes së librave dhe inventarit, Qëndrim Gashi tha se ndjen edhe dhimbje, edhe krenari.

“Ndërsa sot, deri sa e shikoj hapësirën e bukur më libra, me kompjuterë, me inventarë, ashtu siç e meriton një bibliotekë, mundem të them se ndihem krenar, por edhe ndiej dhimbje, por jam shumë krenar që së bashku me ju, së bashku me gjithë ata që e kanë përkrahur iniciativën tonë ia kemi dalë,” tha Gashi.

Ai, bashkë me të tjerët që ndihmuan, arritën të mbledhin mbi 3 mijë libra, ndërsa 3 kompjuterë bibliotekës iu dhanë nga Presidentja Jahjaga.

Edhe Sami Toplana, drejtori i Shkollës së Mesme “Lasgush Poradeci” në Kijevë, tha se ndihet krenar që shkolla ka një bibliotekë me emrin e ish-nxënësit të saj.

Në ceremoninë inauguruese të bibliotekës ishin të pranishëm ata që ndihmuan jetësimin e saj, zyrtarë të Komunës së Malishevës dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Donika Kadaj-Bujupi./kallxo.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here