Nuk kalojnë rekomandimet e VV-së në Kuvend rreth Gjykatës Speciale, kryeministri thotë se qeveria vetëm po e zbaton vendimin e legjislativit

0

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa sot është paraqitur në interpelancë para deputetëve të parlamentit të Republikës së Kosovës lidhur me përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale.
Glauk Konjufca si paraqitës i mocionit për interpelenacë së pari ka elaboruar rreth historikut të nismës për themelimin e Gjykatës Speciale që nga raporti i Dick Martit në dhjetor të vitit 2010 e deri sot. Raporti i Martyt sipas Konjufcës ka marrë nxitje nga spekulimet e ish kryeprokurores së Gjyqit të Hagës, Carla del Ponte dhe dyshimet e saj të ngritura në librin e saj të vitit 2008. “Përmes Gjykatës Speciale integriteti i autonomisë së sistemit tonë të drejtësisë cenohet së paku në 5 nivele fundamentale”, ka thënë Konjufca duke përemndur si të cenueshme nivelin e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese dhe nivelin e Ombudspersonit. “Në këto pesë fusha krijohet paralelizëm i plotë institucional. Prandaj, në kuptimin e sovranitetit shtetëror, Gjykata Speciale është një kthim i madh prapa në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, 7 vite pas shpalljes së pavarësisë”, ka theksuar Konjufca. Gjykatën Specialë ai e ka quajtur të papranueshme, në kuptimin e së vërtetës historike dhe nga aspekti i interesave nacionale të Kosovës. Akuzat e Marti tai i ka quajtur gënjeshtra të ulëta dhe “gënjeshtra dhe mashtrimi, që synon rrënimin e vlerave tona nacionale, duhet të luftohen pa mëshirë”. Kryeministri Isa Mustafa duke dhënë arsyetimin për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë në themelimin e Gjykatës Speciale ka thënë se veprimet e ekzekutivit të Kosovës lidhur me këtë propozim, mbështeten në letrat e shkëmbyera në mes të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete JAHJAGA dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine ASHTON.
“Ky letërkëmbim u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me Ligjin Nr.04/L-274, të datës 23 Prill 2014, për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë”, ka tërhequr vëmendjen Mustafa.
Përveq si obligim të qeverisë për të zbatuar vendimet e kuvendit, kryeministri ka thënë se “Qeveria beson se krijimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë, nuk e cenon pavarësinë kushtetuese të pushtetit gjyqësor”. Në instancë të fundit Mustafa ka thënë se
“është Gjykata Kushtetuese ajo që do ta jap vlerësimin përfundimtar” dhe ka theksuar se qeveria do ta respektoj vendimin e saj. Ai ka thënë të mos ketë informata lidhur me numrin e rasteve si dhe për individët që mund të jenë subjekt i kësaj gjykate dhe ka deklaruar se qeveria e respekton një process të pavarur. Veprim jo të lehtë por të domosdoshëm për momentin, e ka quajt Mustafa themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë.
Qeveria sipas Mustafës konsideron se me gjykatën “në asnjë rast nuk vihet në pyetje gjykimi i luftës çlirimtare të Kosovës”, e cila ai ka thënë se “ishte luftë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë nga forcat ushtarake dhe atyre paramilitare serbe”. “Ne besojmë shumë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, prandaj sjellja e individëve që eventualisht mund të kenë bërë krime qoftë gjatë apo pas luftës nuk mund të identifikohet me luftën e pastër të UÇK-së.“
Kryeministri i Kosovës ka tërhequr vërejtjen se ende është në fuqi Rezoluta 1244, e cila mundëson që vendim të tillë të merr edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Duke përkujtuar votën prej 2 të tretave të legjislativit pro Gjykatës Speciale Mustafa ka thënë se “rekomandimet e VV të bashkangjitura Mocionit për Interpelancë janë në kundërshtim me atë, çfarë Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur me Ligj”. Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka garantuar deputetët se “e kaluara jonë nuk do të gjykohet dhe se lufta e shenjtë për liri nuk do të gjykohet”. “E ardhmja e Kosovë do të jetë e mjegullt nëse nuk veprohet ashtu qysh është kërkuar për themelimin e Gjykatës, alternativa tjetër – themelimi i Gjykatës Speciale nga OKB’ja – është shumë e dhimbshme dhe e dëmshme, armiqtë e Kosovës do ta dëshironin një gjë të tillë”, është shprehur Thaçi duke deklaruar se Kosova do të dalë fitimtare nga ky proces. Në emër të GP të PDK-së, Elmi Reçica e ka prezantuar para deputetëve një Rezolutë, lidhur me luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Dhomat e Gjykatës Speciale, të cilën edhe e ka lexuar para deputetëve. Kreu i GP të VV-së, Glauk Konjufca, ka tërhequr vëmendjen se mund të bëhen propozime për plotësim të rekomandimeve të VV-së dhe të harmonizohen qëndrimet, por jo të bëhen rezoluta e rekomandime paralele. Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, duke mbështetur në tërësi qëndrimin e kryeministrit është shprehur se deputetët e këtij grupi e kuptojnë mirë ndjeshmërinë e themelimit të kësaj gjykate, por është shprehur i bindur se ajo nuk do ta vë në dyshim luftën çlirimtare të Kosovës. Visar Ymeri, deputet i VETVENDOSJES ka spikatur se Kosova ka nevojë për drejtësi të zakonshme, e jo për padrejtësi speciale. “Kur u shpall pavarësia e Kosovës, na thanë se ajo është sui generis. Pra, njëfarë pavarësie speciale, tejet e veçantë, e paparë dhe e papërsëritshme. Shtatë vjet më vonë po përfundojmë me një Gjykatë Speciale, apo dhoma të specializuara siç po quhen tash, me një Gjykatë të Veçantë, tejet të veçantë, sërish të paparë dhe të papërsëritshme”, ka thënë Ymeri. Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke pohuar se ka marrë pjesë në disa takime fillestare në të cilat diskutohej nevoja e krijimit të një paneli për shqyrtimin në vend të krimeve eventuale nga pjesëtarë të UÇK-së, ka theksuar se çështja ka devijuar larg nga synimet fillestare. Ai duke e akuzuar ministrin e drejtësisë Hajredin Kuçin për dallavere në këtë process ka vlerësuar se tashmë është krijuar një sistem i ri dhe shumë i dëmshëm për Kosovën. Pasojat e këtij “lavazhi” sipas tij do të jenë tepër të rënda për Kosovën “. Ministri Kuçi i ka kundërshtuar adresimet e Haradinajt, ndërkaq zv.kryeministri, Kujtim Shala, ka pohuar se gjatë bisedave të krijimit të koalicionit VLAN, AAK-ja, për dallim nga VV dhe Nisma, e kishte pranuar krijimin e Gjykatës. Pas debatit të gjatë të deputetëve pas interpelancës dhe shprehjes së qëndrimeve kryesisht konform atyre të krerëve të subjekteve të tyre, fjalën e kanë marrë edhe një herë kryeministri Mustafa dhe kreu i GP të VV-së, Konjufca, të cilët, duke marrë shkas nga diskutimet e shumta, vetëm sa i kanë përforcuar qëndrimet e tyre fillestare. Rekomandimet e VV-së nuk i kanë marrë votat e nevojshme në Kuvend. Për kanë votuar 22 deputetë, 37 kanë qenë kundër, kurse dy kanë abstenuar. Rezoluta e propozuar nga GP i PDK-së, ndërkaq, për mungesë kuorumi nuk është nxjerrë në votim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here