Nuk e shoh të zymtë ardhmërinë e vendit tonë

0

DUKAGJIN GORANI

Miq,

Nuk e kam zakon të bëj postime. Ende nuk e kuptoj si duhet formatin e komunikimit në FB — komentimet e shkurtëra dhe opinionet e prera që përdoren sot. E vetmja mënyrë që di, është të shkruaj letër – të gjatë e të ngadalshme. E kuptoj që kjo nuk është atraktive sot, mirëpo është e vetmja qasje që e di, andaj kërkoj ndjesë për një letër kaq të gjatë.

T’ia filloj, pra.

Sot u ndjeva i obliguar të përgjigjem në komentimet rreth intervistës sime të djeshme në ‘Zëri’. Nënkuptohet, jam tepër mirënjohës për të gjithë ata që i vlerësuan opinionet e mia – përfshirë këtu edhe ata që nuk pajtohen me to.
Pajtohem se opinionet e mia aty nuk janë lëvdata. Ato shpalosin një tablo të zymtë të shoqërisë sonë dhe, si të tilla, tingëllojnë depresive dhe pa rrugëdalje. Andaj, e kuptoj se është vështirë të gjesh fjalë miradije për to.

Mirëpo, unë nuk e shoh të zymtë ardhmërinë e vendit tonë. E ardhmja nuk është shkruar ende – ajo mund të ndryshohet. Vetëm se, për ta ndryshuar atë, duhet ta ndryshojmë mënyrën se si e kuptojmë të sotmen – e, veçanërisht, se si e interpretojmë të kaluarën. Individët dhe shoqëritë mund të ndryshojnë, mund ta rimendojnë veten. Vetëm se për këtë, duhet të merren vesh.

Mendoj se është koha të ndryshojmë.

Sidomos, prej tash e tutje, kur po shihet se javët dhe muajt që po vijnë do të jenë të rënda për ne. Qëllimi i tyre do të jetë të na përballin me iluzionet tona. Mos ta kuptojmë këtë gjë si tragjike. Fytyra dhe nderi ynë nuk mund të vlerësohet vetëm përmes të së kaluarës – e, sidomos jo përmes mënyrës se si e rrëfejmë atë. Nuk kemi nevojë t’i shpallim luftë botës pse ajo e interpreton ndryshe historinë tonë, pse atë që ne e kuptonim si ‘trimëri’ ajo e sheh si ‘papërgjegjësi’. Ndoshta edhe bota din diçka për ne. Ndoshta nuk jemi vetëm ne më të mençurit në të.
Tekefundit, cilado që të jetë e vërteta, nuk kemi fuqi t’i shpallim luftë botës. Besoj që kjo mjafton.

Nuk është turp të mos dish. Turp është të mos duash të mësosh. Tek ne nuk më brengos kjo e para, por kjo e dyta. Ka shumë prej nesh që nuk dijmë por që duam të mësojmë. E keqja vjen nga ata që nuk duan.

Pas luftës, nuk e kuptuam se cilat gjëra në shoqëri duhet të ndryshohen, e cilat duhet të mbesin të njëjta. Nuk e kuptuam se respekti e mirëkuptimi për tjetrin, për ambientin, për qytetin, për atdheun, nuk duhet të ndryshojë. Menduam se shteti i ri duhet të ketë histori të re, ligjshmëri të reja, moral të ri, vlera të reja e drejtësi të re.
I ndryshuam ato që nuk patëm nevojë, kurse i mbajtëm të njëjta ato që duhej t’i ndryshonim e që nuk mundeshim për shkak të dekadave të dhunës.
Ndryshuam statusin e femrës, jo edhe trajtimin e saj. E morëm pronësinë mbi vendin, por nuk hoqëm dorë nga zhvatja e tij. U ndërrua regjimi politik por nuk ndryshoi logjika e pushtetit. Nuk ndryshoi dëshira jonë që ta imitojmë kulturën politike dhe publike të dhunuesve të dikurshëm.
Ndërkohë, i shkatërruam lumenjtë, pyjet, tokat, qytetet. Lirinë e keqkuptuam – tash e sa vjet ajo është bërë tjetër emër për të drejtën në shfrenim dhe në rrënim. Pa nevojë e ndyshuam sjelljen ndaj prindërve, ndaj fëmijëve, ndaj dashurisë e mëshirës. E ndryshuam shkollën, por padituria mbeti. Sot tek ne është lajm diçka që dikund tjetër është rëndomtësi…

Mirë, gabuam. Nëse e pranojmë këtë, ka shpresë për ne. Nuk ditëm meqë nuk kishim përvojë. Nuk i ndodhë shpesh popujve që brenda 78 ditëve t’i merr fund një tragjedi shumëvjeçare dhe t’ia fillojë një jetë e re. Kjo na ndodhi saktësisht 16 vjet më herët. Entuziazmi ynë për liri na helmoi me obsesionin për ndryshim. E zhvilluam atë që e bën fëmija i papërvojë: një ëndërrallë. Dhe, si çdo ëndërrallë, ajo filloi si ëndërr dhe u shndërrua në ankth.

Sot, duhet të besojmë. Të besojmë se mund të dalim nga ky ankth. Nga ankthi i pasigurisë personale, i padrejtësisë shoqërore, i papërgjegjësisë institucionale. Të besojmë se mund ta kthejmë mirëkuptimin mes të afërmve, solidaritetin me të huajin, përkrahjen e botës.
Mirëpo, nuk besoj se ankthin do ta ndërprejmë duke mos e pranuar atë. Duke e thelluar tutje, përmes gënjimit të njëri-tjetrit për madhështinë tonë, për lashtësinë tonë, për mençurinë tonë. Nuk besoj se populli ka nevojë për gënjeshtra saherë që e humb shpresën. Në këtë botë ka popuj që s’kanë lashtësi fare, e që i lakmojmë sot. Ka të tjerë me histori mijëvjeçare e që sot janë në luftë, vrasje e shkatërrime.
Sot nuk vuajmë nga mungesa e lirisë kombëtare, por nga padrejtësia sociale. Nuk kërcënohemi nga të tjerët, por nga njëri-tjetri. Nuk vuajmë nga copëtimi territorial, por nga përçarja shpirtërore – nga papërgjegjësia jonë shoqërore.

Sa për Gjykatën Speciale: jam i bindur që themelimi i saj e ka gjenezën në pasluftën tonë, e jo në luftën. Është paslufta që e shkaktoi atë, e assesi vitet e dhunës kur na maltretonin të tjerët por kujdeseshim për njëri-tjetrin. Jam i bindur se Gjykata Speciale nuk do të themelohej nëse Kosova do të ishte rrëfim suksesi për ne dhe për botën. Sot është e kotë ta mallkojmë Perëndimin e ta fajësojmë Brukselin.
Kur të vijnë të këqijat, ua çelë derën – ato vijnë grumbull. Gjykata Speciale është vetëm e keqja e radhës të cilën e merituam pasi që e rrënuam dëshirën për ta çmuar mençurinë dhe cilësinë në shoqërinë tonë.

Ndodhemi para udhëkryqit të radhës. Duhet të vendosim nëse duam apo s’duam ta ndërprejmë ankthin. Këtë mund ta bëjmë vetëm nëse fillojmë ta ndryshojmë veten: vetëm nëse fillojmë të vlerësojmë gjëra të tjera, të respektojmë vlera të tjera – të votojmë njerëz të tjerë dhe të ndërtojmë ardhmëri tjetër.
Nuk mund të presim që shoqëria të ndryshojë, e ne të mbetemi të njejtë. Ne jemi shoqëria.
Sidomos, nuk mund të presim që të tjerët ta ndryshojnë ardhmërinë për neve.
Të bësh veprimin e njëjtë e të presësh rezultat tjetër është definicon i marrëzisë. Tashmë po e shohim se kultura shoqërore që e nisëm (sidomos) pas luftës ishte, të shumtën, e gabueshme. Ajo nuk do të përmirësohet nëse e vazhdojmë me kokëfortësi. Gënjeshtrat nuk bëhen të vërteta nëse fillojmë të bërtasim më shumë, nëse e mallkojmë tjetrin dhe botën.

Krejt në fund. Nuk mendoj se jam cinik dhe dashakeq. Madje, as pesimist – pavarësisht se si tingëlloj. Flas rëndë për shoqërinë tonë, mirëpo nuk kisha jetuar askund tjetër pos në Prishtinë, në Kosovë. Po aty, jetoj i bindur se njeriu duhet përpjekur, vazhdimisht. Që duhet të jetë i angazhuar– të mësojë, të dëgjojë, të flet nëpër media, madje të grindet kafeneve, për gjërat në të cilat beson, për vlerat që i çmon – dhe për njerëzit që i don.

Dukagjini.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here