Një vit burg për tre protagonistët e video-skandalit që ngacmuan pacienten

0

Gjykata e Tiranës dënon përfundimisht me nga 4 dhe 8 muaj burg dy nga protagonistët e video-skandalit në spital, ku një vajzë ngacmohej seksualisht teksa ishte pa ndjenja, ndërsa një tjetër u dënua me 80 ditë punë të detyruar. Në videon e transmetuar në fillim të janarit të këtij viti shfaqeshin tre persona që i zbulonin pjesët intime një vajze që kishte shkuar pa ndjenja në qendrën spitalore “Nënë Tereza” të Tiranës. Videoja mendohet se ishte xhiruar disa muaj para se të publikohej. Pasi u përmend vajza tregoi emrat e shokëve, me të cilët atë natë kishte konsumuar alkool dhe prej atij momenti nuk i kujtohej gjë tjetër, përveç çastit kur u zgjua në spital.

Pak ditë pas publikimit të videos togat e zeza vendosën arrest me burg për 25-vjeçarin Evarist Pasha, i cili akuzohet për ngacmim seksual. Ndërkohë, gjykatësi Ibrahim Hoxha dha masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për dy autorët e tjerë, Albi Bocaj dhe Patrik Kacaj. Tre të arrestuarit deklaruan në polici se videon e morën si lojë, pasi nuk e dinin që ishte krim. Ndërkohë u shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, Dejvi Lamaj dhe Andi Bushaj, të cilët u arrestuan më vonë.

Vendimi i gjykatës

Më 5 qershor të këtij viti, me numër vendimi 2007, gjyqtari Albert Meça vendosi që dy prej protagonistëve të dënohen me burg, ndërsa një tjetër me punë të detyruar. Më konkretisht, Gjykata e Tiranës vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Evarist Pasha, 25 vjeç për kryerjen e veprës penale të “ngacmimit seksual” dhe dënimin e tij me 1 vit burgim. Për shkak të pranimit të akuzës dhe gjykimit të shkurtuar, me uljen e një të tretës së dënimit, përfundimisht i pandehuri dënohet me 8 muaj burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Evarist Pasha fillon nga dita e ndalimit të tij datë 4 janar 2015. Ndërkaq, është vendosur deklarimi fajtor i të pandehurit Dejvi Lamaj, 18 vjeç, për kryerjen e veprës penale të “Ngacmimit seksual”. Edhe Lamaj, si Pasha ka pranuar veprën penale dhe sipas ligjit, nuk do të vuajë 6 muaj burg, por është dënuar me 4 muaj heqje lirie. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dejvi Lamaj fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi. Nga ana tjetër është vendosur deklarimi fajtor i të pandehurit Andi Bushaj, 19 vjeç, për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi” dhe dënimi i tij me 6 muaj burgim. Edhe për Bushajn u aplikua ulja e dënimit, për shkak të pranimit të akuzës dhe përfundimisht është dënuar të kryejë punë në interes publik. Gjykata e urdhëron të mbajë kontaktet e nevojshme me shërbimin e provës, si edhe të kryejë 80 orë pune pa shpërblim pranë Bashkisë së Tiranës.

Prokurori dhe avokatët

Prokurori kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Evarist Pasha dhe dënimin e tij me 1 vit burgim. Gjithashtu, u kërkua deklarimi fajtor i të pandehurit Dejvi Lamaj dhe dënimi i tij me 9 muaj burgim. Më tej akuza kryeqytetase kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Andi Bushaj dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim. Ndërkaq, avokatja Ajsjela Beqaj paraqiti konkluzionet me shkrim, ku kërkoi një masë dënimi minimumin. I pandehuri Evarist Pasha është shprehur se “Jam dakord me avokaten dhe kërkoj mëshirë”. Ndërkaq, avokati Vladimir Meçi kërkoi që për të dy të pandehurit Dejvi Lamaj dhe Andi Bushaj të jepet një dënim alternativ, duke mbajtur në konsideratë që të zëvendësohet dënimi me burgim në kryerjen e një pune me interes publik. Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here