Një shkrim i pabotuar i Faik Konicës në moshën 21-vjeçare

0
Është i njohur dhe mëse i komentuar kryeartikulli i numrit 1, 1897 të Albania-s “Armiqtë e Shqipërisë”, shkruar nga djaloshi 21-vjeçar Faik Konica, artikull që vë gishtin në plagë, açik dhe me guxim të paparë: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët!” – thotë Konica prerë, me gjakftohtësinë dhe qetësinë e tij olimpike, pa lulka retorike e patriotizëm të shtirë. Janë shqiptarët, sepse vetë ata janë përgjegjës edhe sot e kësaj dite që Shqipëria vazhdon të renditet ndër kombet e fundit në Europë. Veçse ky pohim tronditës konician, që i vesh shqiptarët me përgjegjësi të rëndë historike e aktuale, shfaqet edhe në shkrimin e mëposhtëm firmosur me pseudonimin Rrapo Palla, shkrim ky i pabotuar fatkeqësisht në veprat e Konicës, ashtu sikurse tërë shkrimet e kësaj rubrike në faqet e gazetës “Tirana Observer”. Ndjejmë në shkrimin “Të vijmë ndër mend” zërin tronditës të Faikut për të zgjuar shqiptarët nga gjumi i rëndë shumëshekullor i pushtimit, por edhe i prapambetjes, për t’i shkundur që të vijnë në vete, të ndërgjegjësohen për fatet e tyre dhe fatet e vendit. Sot, pas 118 vjetësh kur Faiku lëshoi nga zemra e tij këtë thirrje kreshniku, kaq aktuale dhe kaq e domosdoshme, nuk ka si të mos nxjerrim mësimet e duhura, pas tërë atyre zezonave që kanë përpirë breza të tëra shqiptarësh e që kulmuan me atë vit të mbrapshtë ‘97, viti i qoftëlargut, që veshi shumë nëna me të zeza. Sot njeriu i thjeshtë shqiptar, i sfilitur nga prapambetja dhe politika klanore antikombëtare, nga politika populiste e rrugës që bën viktima të pafajshme, si dhe nga thirrjet që nxisin dasitë fetare e krahinore, i thotë Ndal! njëherë e mirë, çdo spekulimi “në emër të sovranit”, çdo spektakli tragjiko-komik të parlamentit shqiptar, çdo ulërime “të të fortëve” që kërcënojnë si përherë për gjëma dhe tronditje themeli të botës shqiptare. Le t’i vëmë veshin Konicës gjeni, që mbetet përherë aktual, me largpamësinë e tij madhështore.
Materiali u përgatit për botim nga Monet Maneshi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here