Një histori tradhëtie, një ngjarje si në telenovela, në një fshat të Tiranës, që përfundoi me tragjedi

0

Një histori tradhëtie, intrigash, sekretesh, planesh për t’u takuar e planesh me gënjeshtra; një ngjarje si në telenovela. Një histori që ndodhi në një fshat të thellë të Tiranës, por që nuk u zbulua nga bashkëshorti, por nga vëllai i gruas, i cili prej muajsh kishte dyshime të forta se diçka po ndodhte.

Ndaj edhe ishte kthyer nga emigracioni, por si fillim ai kishte ruajtur gruan e tij se mos ajo po e tradhëtonte. Kur është bindur në besnikërinë e saj, ka filluar të survejojë të motrën, që ndërkohë ishte nuse e re në familjen Kurti.

Elida Cani kishte një rutinë si në fshat. Nuk dilte dhe i shërbente mirë vjehrrit dhe vjehrrës. Në çdo vizitë në fshat shoqërohej nga i shoqi, që është bashkëfshatar me të. Por..

Elida ndërkohë mbante një numër tjetër telefoni dhe me të komunikonte me bashkëfshatarin e saj Arben Gjeci. Ishte lidhur me të në vjeshtën e 2018-s dhe takimet i linin përmes mesazheve. Familja ndërkohë po bënte plane që çifti të sillte në jetë një fëmijë, pasi kishin dy vjet martuar dhe koha po kalonte shpejt. Por trupi i gjakosur i Arben Gjecit, afër murit të shtëpisë së tyre në Zallbastar, nxori një të vërtetë tjetër.

Elida rrëfen:

“E kishim lënë të takoheshim tek shtëpia, në vendin ku takoheshim gjithmonë. Me Arben Gjecin jemi lidhur para katër muajsh. Ndërsa me Dëfrim Kurtin jemi martuar para dy vitesh. Arbeni erdhi kur im shoq nuk ishte në shtëpi. Vjehrri dhe vjehhra po rrinin në dhomën e tyre. Ndërsa vendi ku takoheshim ne të dy është një dhomë e veçuar nga shtëpia. Pata merak se mos vinte burri dhe i thashë Arbenit se “mos vjen burri”, por Arbeni më tha të rrija e qetë se burri po pinte kafe. Kryem marrëdhënie dhe kur po vishej më tregoi se kishte qenë i frikësuar gjithë ditën. E pyeta pse? Arbeni më tregoi se kishte pasur idenë që dikush po e ndiqte”

Ky është rrëfimi i Elida Canit, e martuar prej dy vitesh dhe që kishte krijuar lidhje jashtëmartesore me një tjetër burrë të martuar nga fshati Zallbastar. Ajo akuzohet për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi pas takimit me 20-vjeçarin, i dashuri i saj u godit pas koke në dalje të shtëpisë. Sëbashku me të, akuzohet për “veprime që pengojnë të vërtetën” edhe i shoqi, Dëfrim Kurti. Pas arrestimit ai tregon…

Dëfrimi rrëfen:

“Më telefonoi Elida. Më pyeti “ku je”? Pastaj më telefonoi prapë dhe më tha “hajde më ço tek prindërit”. Unë kisha lëvizur nga ai lokal dhe ndodhesha pak larg, në një lokal tjetër, 20 minuta larg shtëpisë. I thashë “kam punë tani, herë tjetër”. Por ajo më telefonoi sërisht e duke qarë më tha “hajde shpejt, në shtëpinë tonë gjendet një burrë i gjakosur, dikush ka qëlluar Arben Gjecin”. Pastaj më tha sërisht “me mua bëj ç’të duash, ai ishte tek unë”. E pyeta “kush e dinte tjetër ç’kishte ndodhur”. “Po mami, po babi dinë gjë?”. “Jo”, më tha, “nuk di askush asgjë”.

Elida nga ana e saj, e pyetur nga sektori që heton vrasjet pranë Policisë së Tiranës, shpjegoi se pasi ishte ndarë nga i dashuri, kishte dëgjuar një goditje, një zhurmë. “Nuk pashë askënd se kush e qëlloi, sepse aty është një mur që s’të lejon të shikosh. Dola me vrap dhe e pashë të përpëlitej, hodha sytë ngado, por nuk pashë askënd. Vrapova në dhomën e pleqve, të vjehrrit e të vjehrrës dhe qëndrova pak aty, pastaj dola sërisht. Arbeni gjendej aty në mes të pellgut me gjak”, ka rrëfyer 20-vjeçarja, e cila më pas tregon se i ka telefonuar bashkëshortit i cili ka mbërritur menjëherë.

Të dy bashkëshortët kanë rrëfyer që mos ta merrte vesh fshati, e kanë zhvendosur trupin e të plagosurit që ende merrte frymë, në afërsi të një përroi. Teksa Elida ka pastruar njollat e gjakut dhe ka hedhur tallash mbi tokën ku ai ishtë rrëzuar, i shoqi ka flakur telefonin poshtë dhe më pas ka njoftuar një fqinj duke i treguar se dikush kishte qëlluar Arben Gjecin.

Ndërkohë njeriu që e kishte qëlluar atë me levë, ka vrapuar në shtëpinë e tij. Ai quhet Esat Cani, 30 vjeç dhe është vëllai i Elidës.

Esati rrëfen:

“Shkova në shtëpi dhe nusja më pa të shqetësuar. Më pyeti si ishte puna dhe ia preva shkurt. I tregova që s’kisha asgjë, isha i lodhur dhe u shtriva të fle. Të nesërmen në mëngjes doli lajmi në fshat se Arbenin e kishin qëlluar me sende të forta dhe se ai kishte ndërruar jetë rrugës për në spital”.

Detaji që ka ngritur dyshime mbi vrasësin ishte fakti që Esati atë ditë kishte kërkuar lejë në punë. Ai punon si roje dhe i ishte lutur shefit “dua të shkoj në shtëpi, kam babain sëmurë”. Kur policia ka kryer verifikimet pas ngjarjes, ka rezultuar se atë ditë i riu nuk kishte qenë fare në shtëpi dhe se i ati nuk kishte pasur fare probleme shëndetësore.

Esati rrëfehet:

“E ruajta gjithë ditën Arbenin. E pashë furgonin e tij kur parkoi në lokal dhe piu kafe me kunatin tim, burrin e Elidës, pastaj të dy u larguan. Kunati iku në një lokal tjetër, ndërsa Arbeni u drejtua drejt shtëpisë së motrës. Kisha që në muajin tetor që më gërryente dyshimi. Një ditë kur u ktheva nga Greqia, ishim si pasagjerë në makinën që drejtonte Arbeni. Bashkë me mua ishte edhe ime motër dhe e fejuara ime. Arbeni po sillej çuditshëm dhe unë aty në atë çast dyshova se ai ose ishte lidhur me motrën time ose me të fejuarën time”.

Esati tregon se e kishte pritur Arben Gjecin sa ka dalë nga takimi dhe me levë e kishte qëlluar në kokë. “E godita, jo për ta vrarë , por që të trembej dhe të mos të shkatërronte më tej martesën e motrës”, ka deklaruar 30-vjeçari, i cili tashmë gjendet nën akuzë për “plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen”.  

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here