Një gjyq popullor për Sokol Ballën

0
JONIDA HITOVEZI
Njëri nga drejtuesit e emisioneve më të rëndësishëm në vend, Sokol Balla, që drejton Top-Story në Top Channel është shantazhuar me një video erotike, të cilën në fund ia kanë bërë publike në internet.
Video më shumë sesa perverse, ishte një video që do guxoja ta quaja normale brenda dhomës së gjumit apo tualetit ku shkon shpesh çdo mashkull, po pse jo edhe femër.
Disa portale online e kanë publikuar lajmin, duke bërë edhe etiketimet e tyre për gazetarin, disa e quajnë pervers, disa të pamoralshëm, disa të ndyrë, disa jo njerëzor etj.
E vetmja gjë e rëndë në këtë histori është fakti që një femër, në këtë rast ajo që është investuar për ta shantazhuar gazetarin e  ka qarkulluar videon në internet. I rëndë është fakti që ajo ka shkelur jo vetëm privatësinë e tij, por ka konsumuar vepër penale dhe civile. E drejta e privatësisë është e garantuar me ligj dhe akoma më keq shantazhi ndaj gazetarit me një regjistrim të paramenduar është dhe më i dënueshëm nga ana morale e ligjore. ( kujtojë këtu se shantazhimi me video erotike, të marra në momente privatësie dënohet me ligj, pasi denigrimi i figurës dhe personalitetit përmes fotove apo videove intime u kthye në shqetësim në internet. Kujtojmë edhe se Shqipëria ka një ligj kundër krimit kibernetik).
Nuk dua të bëjë avokatin e askujt në këtë  këndvështrim personal, por t’i bëhet gjyq popullor një gazetari për intimitetin e tij më duket jashtë çdo lloj perceptimi të një shoqërie që nuk tronditet nga perversitetet që kanë plasur sheshit, por gjithnjë tronditet kur merr vesh se ka ndodhur diçka me “Seks”.
Është fatkeqësi e madhe, sidmos për ata që janë pjesë e opinionit publik, që të marrin përsipër të bëjnë gjyqin pse dikujt i ka vendosur dikush një kamerë në dhomën e gjumit dhe na ka treguar të gjithëve preferencat erotike të tij.
Por, këtu sigurisht harrohet që është shumë e pandershme së pari të përgjosh nga vrima e çelësit në dhomën e gjumit të tjetrit e njëherësh edhe vepër penale të vjedhësh një material intim dhe ta shesësh si perveristet në internet.
Ndoshta këta moralistë të mëdhenj duhet t’i shpërndajnë shoqërisë një manual sesi të kënaqet njeriu në mënyrë të ndershme. Kështu që ta dimë që edhe po na futën ndonjë çimkë, të jemi brenda normave të paktën.
Por, mbi të gjitha nuk dua të besoj zërat se shantazhuesja në këtë rast mund t’ia arrijë qëllimit duke detyruar gazetarin të braktisë punën e tij.
Për çfarë duhet ta dënojmë dhe kryqëzojmë gazetarin?
A ka bërë ai vepra të turpshme në vendin e punës?
A ka abuzuar me ndonjë minorene?
A ka përfituar padrejtësisht për shkak të deyrës së tij në televizonin ku punon?
A ka shfrytëzuar postin?
A ka përdhunuar njeri?
Rezulton se përgjigja e të gjitha këtyre pyetjeve është JO.
Ndaj përpara se të merrni gurët, i hidhni një sy telefonit tuaj; i hidhni një sy dhe lap-topit që keni në shtëpi se ndoshta dikush u gjen diçka.
Fshini bisedat që keni aty dhe pastaj qëlloni me gurë. Të paktën kështu mund të mos skuqeni nga vetja, se s’i dihet! Gjëja më e pasigurt pas jetës natyrisht që mbetet internet dhe debati global mbi rrezikun që ai ka ndaj privatësisë, ilustrohet më së miri me këtë rast.
Unë uroj që gazetari Balla ta marrë me humor këtë rast dhe natyrisht më me seriozitet detyrimin për ta mbajtuir jetën private brenda mureve. Por nëse është dikush që duhet të ndëshkohet në këtë rast, janë shantazhuesit dhe jo viktima. Precedenti që një media, sidomos një media e madhe, të zgjedhë mes viktmës dhe shantazhuesit të tij, të bëhet me shantazhuesin, do të jetë një inkurajim i keq mes të tjerash dhe kundër njerëzve publik, të cilët pas punës si gjithë të tjerët janë njerëz normal, që mbyllen në dhomën e gjumit dhe bëjnë jetën e tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here