Një dritë në tunel

0

SARANDA R. SHALA

Më kujtohet si sot 24 marsi i viti 1999. Ani pse isha femijë kujtimet e kësaj date mbeten ende të freskëta. Ishte pikërisht kjo datë e ringjalljes së shpresës për të gjithë popullin shqiptar, andaj dhe duhet celebruar si një dite e fitores.

Fushata ajrore e NATO-s, sulmet kunder Sërbisë për 11 javë dërguan dhe në kapitullimin e okupimit të forcave serbe, duke rikthyer më pas më shume se 800 mijë refugjatë të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre.

Ështe dita që përshpejtoi largimin dhe rrëzimin e diktatorit Millosheviq nga të gjitha skenat dhe dërgimin e tij në Hagë. Në këtë periudhë të tij filloi spastrimi, shkatërrimi deri në atomin e fundit ndaj shqiptarëve. Në këtë datë nisi kthesa më e madhe e çlirimit të vendit, u ndez nje dritë në tunelin e tmerrshëm të mbyllur të vendit tim.

Në mesin e mijëra qytetarëve që po lëshonin atdheun e tyre, u nisa dhe unë bashkë me familjen rrugëve te trenit, për të gjetur shpëtim në rrugëtimin e gjatë 24 orësh, që nuk e dinim as vet se ku do të shkonim. Si e vogel ende pa hypur në tren kisha fatin që shpëtova nga ndonjë fraktur e këmbëve. Njerëzit si të çmendur shtypnin njëri tjetrin, kush më parë ta zë një vend.

Ishim ngjitur me njëri tjetrin një mbi një, sa mundësia  vetëm për ta kthyer kokën nuk vinte në shprehje. Në tren nuk vuanim për bukë, as për ujë, sa vuanim për ajër. Mund të imagjinoni 24 orë malltretim në tren, duke kërkuar një cep të vogël të një dritareje që të mbushësh mushkëritë me ajër. Pasi u gëzuam pa masë që arritëm në kufi ,dhe do kishim mundësi të zbrisnim, policia makabre serbe jep urdhër që treni ashtu i mbushur me njerëz, të mos zbres dhe të kthehet prapë nga aty ku ishte nisur. Kjo ishte vetem një ndër historitë malltretuese të gjenocidit sërb që nuk u ngop asnjëherë për ta parë deri në shfarosje vendin tim. Mund të imagjinoni se çfarë kanë  përjetuar mijëra familje nëpër male, në borë  e shi, pa ujë e pa bukë, duke parë vrasje e dhunime në prani të familjarëve te tyre. Kaluam e përjetuam muaj të tmerrshëm, pritje të gjata, me një shpresë të vetme të mbijetojmë e të mbesim gjallë.

Kush do ta mendonte që pas 78 ditësh sulme ajrore të njëpasnjëshme nga përfshirja e forcave të Aleancës Veriatlantike, një shtet i udhëhequr nga një lider shpirtzi do të dorëzohej.

Lufta e denjë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës bashkë me hyrjen e NATO-së, më datën 12 qershor 1999, sollën gëzimin më të madh të përjetuar ndonjëherë, fillimin e lirisë, paqen, rikthimin e ajrit qe në të frymojmë lirshëm. Sot falë këtyre forcave, vendi im gëzon një jetë normale. Andaj mua nuk më mbetet tjetër përvec të them: Urime Kosovë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here