Një avokat kosovar dyshohet për mashtrim të klientit të tij i plagosur nga bombat e NATO-s

0

RTK është munduar për ditë të tëra që të kontaktojë me avokatin e dyshuar, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të shumta telefonike.

Ndonëse plagët i janë shëruar, kujtimet ende i ka të freskëta. Hysen Gashi nga Arllati i Drenasit, ish-ushtar i UÇK-së, më 21 qershor të vitit 1999 mori 36 plagë në trup nga shpërthimi i 120 copave të kasetës bombë.

Bomba ishte vendosur afër shkollës së fshatit nga forcat serbe. Derisa Hyseni mbeti i plagosur rëndë, nga i njëjti shpërthim, jetën kishin humbur edhe një ushtarë i UÇK-së, dy ushtarë të KFOR-it britanik, dhe dy civilë. Kjo ndodhi në kohën kur vendi kishte vetëm një javë që ishte çliruar.

Disa muaj pas lëndimit, Hysen Gashit i erdhën për vizitë KFOR-i Britanik. Ata e njoftuan se mund të merrte dëmshpërblim financiar, por kjo duhej të bëhej nëpërmjet avokatit. Hyseni vendosi që përfaqësues i tij ligjor të ishte një avokat i njohur.

Në vitin 2004, Hyseni pretendon se avokati e kishte njoftuar atë se KFOR-i Britanik kishte vendosur që ta dëmshpërblinte me 25 mijë euro.

Një shumë të tillë ai e kishte kundërshtuar, por siç thotë ai, një javë më vonë, avokati i kishte thënë se i janë shtuar edhe 10 mijë euro dhe dëmshpërblimi ka arritur shumën prej 35 mijë eurove.

“Mi ka pru 35 mijë euro, në dorë mi ka numërua krejt ka 200 euro. I kam lyp hua 5 euro me u taku me të, kur i kam pa paret jam mbetë pa frymë”, thekson Hysen Gashi.

Pyetja: A nuk i ke kërku dokument me nënshkru për mjetet që i ke marrë?

“Jo oj motër skam ditë dhe i kam besu shumë sepse e kam edhe të afërm…” , tha Gashi.

Hysenit shumë vite më vonë i kishte lindur dyshimi se mund të jetë manipuluar nga avokati i tij. Dyshimi iu shtua edhe më shumë kur nga ai kërkoi që t’i jepej ndonjë dokument për gjendjen e tij shëndetësore dhe arsyetimin e mjeteve që kishte marrë si dëmshpërblim.

“Unë spo e akuzoj, unë veç po e lypi dokumentin tim. Për vetë faktin që ai nuk ma ka dhënë asnjë dokument timin që jam tu e kërkua që nga viti 2011, unë dyshoj që më ka mashtru. Kam qenë të një avokat tjetër dhe ai më ka than a mu po më rren që i ke marë vec 35 mijë auro a…”, tha Gashi

Duke u ndier i manipuluar, Hyseni paraqiti rastin edhe në Policinë e Kosovës.

Pas disa javë tentimesh nga RTK, drejtoria e krimeve ekonomike, nëpërmjet Zyrës për Informim, konfirmoi me shkrim se ndaj personit në fjalë, është hapur proces hetimor dhe se për këtë rasti është në prokurori.

Prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani, nuk ka pranuar të flas lidhur me rastin me arsyetimin se mund të prishen hetimet.

Burime të RTK-së, brenda policisë së Kosovës thonë se janë në përmbyllje të hetimeve për këtë rast, por që ende nuk kanë marrë urdhër të ri të veprimit nga prokuroja Sylejmani.

Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Imer Beka e ka mohuar që rasti është duke u neglizhuar, por siç tha ai ndaj avokatit ka një kallëzim penal dhe rasti do të përfundoj brenda afateve ligjore.

RTK është munduar për ditë të tëra që të kontaktojë me avokatin e dyshuar, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të shumta telefonike. Avokati nuk ishte as në zyrën e tij private, as në atë të organizatës tjetër ku punon.

Ndërkohë, RTK-ja ka kontaktuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, por ata thanë se kthimi i përgjigjeve për raste të tilla merr kohë me vite.

Avokati dyshohet për mashtrim të klientit të tij në shumën prej mijëra euro.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here