Nisma dhe LDK-ja bisedojnë për koalicion në Malishevë

0

MALISHEVË, 4 SHKURT – Nisma për Kosovën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës-Dega në Malishevë po bisedojnë për një koalicion në qeversjen lokale të kësaj komune mes tyre. Bisedimet i kanë konfirmuar për Portalin “Online” Januz  Kastrati, kryetar i degës së LDK-së në këtë komunë dhe kreu i degës së Nismës, njëherësh kryetar i kësaj komune, Ragip Begaj. Kastrati i LDK-së ka bërë me dije se bisedat rreth koalicionit kanë nisur që nga fillimi i këtij viti por deri tani nuk ka patur ndonjë marrëveshje. Ai dhe Begaj i Nismës nuk kanë dashur të flasin për ofertat e njërës dhe palës tjetër, por burime të ndërlidhura me bisedimet thonë se LDK i ka kërkuar Nismës e cila e mban pushtetin në Malishevë gjysmën e drejtorive në mënyrë që të jetë pjesë e Qeverisë Komunale. Bisedime për koalicion mes këtyre subjekteve në Malishevë ka patur edhe menjëherë pas zgjedhjeve lokale kur Nisma e kishte fituar pushtetin në këtë komunë por me një fitore që nuk i mundësonte numrat dhe vendimmarrjen e pavarur në legjlsativin komunal. Në fillim të këtij viti sërish janë aktivizuar bisedimet. Mbetja e Kuvendit Komunal të Malishevës pa kryesues tani që ish kryesuesi Enver Hoti e ka marrë postin e deputetit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, e imponon edhe më shumë koalicionin e Nismës me LDK-në apo ndonjë subjekt tjetër. Nisma i ka vetëm 11 vota në Kuvendin Komunal me 31 ulëse dhe për ta siguruar shumicën e thjeshtë i duhet marrëveshja me të tjerët. Por kreu lokal i Nismës, Ragip Begaj ndonëse ka thënë se është i interesuar që ta ketë kryesuesin nga partia e tij, ka bërë me dije se nuk do ta sakrifikojë pushtetin ekzekutiv vetëm për ta marrë atë post. Ka thënë se veq LDK-së për postin e kryesuesit do t’i konsultojë edhe partitë tjera të përfshira në legjislativin komunal por në instancë të fundit ka theksuar se do të bashkëpunojë me cilindo nga anëtarët e kuvendit që i merr votat e shumicës. Kuvendi Komunal i Malishevës e ka një muaj afat për zgjedhjen e kryesuesit të ri. Në zgjedhjet e fundit lokale në Kuvendin Komunal të Malishevës Nisma për Kosovën që në atë kohë e kishte emrin Iniciativa Qytetare për Malishevën i kishte fituar 11 ulëse, PDK dhe LDK nga 8 sosh, Vetvendosja 2 dhe AAK e AKR nga një ulëse.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here