Nishani:majori i vrarë në aferën e drogës dështim i shërbimit sekret shqiptar

0

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka folur për vdekjen e majorit shqiptar në Spanjë pas rrëzimit të helikopterit me drogë, duke e cilësuar ngjarjen si një dështim të shërbimeve sekrete në Shqipëri.

Kreu i shtetit dhe njëherësh komandat i Forcave të Armatosura tha se ky rast ngre një shqetësim dhe dyshim për mirëfunksionimin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

“Rasti konkret ngre një shqetësim dhe në gjykimin tim më të parë, konstatohet një dështim në këtë rast i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, tha Nishani gjatë një interviste për “ABC News”.

Kreu i shtetit ka folur sërish edhe për ndryshimet e fundit që bëri qeveria, duke i hequr presidentit kompetencën për emërimin e kreut të shërbimit sekret të ushtrisë. Nishani e quajti këtë politizim të institucionit përqendrim pushteti në një dorë të vetme.

“Ky ka qenë një shqetësim që unë e kam ngritur edhe më herët, në momentin kur u hoq kompetenca e Presidentit të Republikës, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, për të bërë emërimin e kreut të inteligjencës së Ushtrisë. E kam shprehur më tej, kur kam konstatuar politizimin e kësaj agjencie, pasi kam qenë dhe mbetem i bindur që largimi nga kornizat e Kushtetutës dhe ligjit, përfshirja në një proces politizimi të institucioneve të tilla dhe të një kontrolli të plotë vetëm të një institucioni, siç është qeveria, krijon dobësi në funksionimin e institucioneve, krijon, për shkak të familjaritetit dhe lidhjeve të tilla për interesin politik, largim nga profesionalizmi dhe e vendos në raporte të tilla, që dalëngadalë fillon dhe dëmtohet eficiensa e funksionimit të institucioneve të tilla. Ky është një rast, i cili duhet parë në këtë kontekst, sesa nuk kanë funksionuar institucionet që kanë për detyrë të hetojnë, monitorojnë, kontrollojnë përfshirjen e ushtarakëve në veprimtari të tilla kriminale. Agjencia përkatëse ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe unë pres të shoh një angazhim të institucioneve, tashmë, që ka në varësi këtë agjenci, të gjykojnë dhe vlerësojnë me shumë seriozitet këtë situatë”, deklaroi kreu i shtetit.

Sa i përket përgjegjësisë për çështje dhe detyrave të Ministrisë së Mbrojtjes, Nishani nuk ka bërë ndonjë koment, por është mjaftuar duke thënë se kjo mbetet në dorën e kryeministrit Rama.

“Unë nuk do të hyja në komente të tilla për sa kohë kjo është një çështje që i takon në radhë të parë Kryeministrit dhe qeverisë për të reflektuar në këtë çështje. Për mua është shumë e rëndësishme që, fenomene të tilla të hetohen dhe të vlerësohen në tërë dimensionin që ato mbartin. Dhe një herë, unë dëshiroj të inkurajoj ushtarakët shqiptarë që të vazhdojnë punën e tyre të rritjes së nivelit të profesionalizmit, të qëndrojnë fort dhe të mos pranojnë praktika, të cilat i përshijnë ata në sjellje të afilacionit politik, të politizimit, sepse Shqipëria ka arritur vetëm një standard të rëndësishëm dhe pozitiv me anëtarësimin e saj në NATO, jo vetëm të nivelit profesional, por dhe integritetit në tërësi të Forcave të Armatosura të vendit, ndaj duhet që të vijojmë konsolidimin dhe forcimin e kësaj sjelljeje institucionale dhe profesionale të ushtrisë, e cila është një aset shumë i rëndësishëm dhe me kontribute të veçanta për Shqipërinë”, theksoi Nishani.

Ndër të tjerë, Nishani bëri të ditur gjithashtu se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjin e Gjykatës së Lartë, pas vendimit që Kuvendi mori dy ditë më parë për rrëzimin e dekretit për të rishikuar draftin.

Edhe raportet maxhorancë-opozitë u diskutuan, dhe në optikën e presidentin ato duhet të futen në një rrugë normalizimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here