Nishani i dekoroi kryesisht themeluesit e FARK-ut dhe politikanët e LDK-së të vrarë pas luftës

0

PRISHTINË, 17 SHKURT – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndarë sot medalje për disa nga luftëtarët e luftës së fundit për lirinë e Kosovës, shumica prej të cilëve identifikoheshin me FARK-un dhe për politikanë të LDK-së të vrarë pas luftës. Në ceremoninë e zhvilluar në selinë e presidencës e ku merrnin pjesë edhe politikanë nga Prishtina, kryesisht nga LDK-ja, Nishani nuk e ka përmendur në fjalën e tij asnjëherë termin UÇK.  Ai ka njoftuar se ka dekoruar “persona me kontribute në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës, me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë”. I pari ndër të dekoruarit ka qenë Koloneli Ahmet Krasniqi, ish ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Atij i është ndarë dekorata më e lartë që lëshohet në Shqipëri, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. “Intelektual elitar, i dëshmuar me publikime të rëndësishme profesionale por edhe artistike, oficer madhor, kërkues shkencor i teorisë dhe praktikës në artin e luftës, një nga ideatorët dhe projektuesit e bërthamave të strukturave të para institucionale ushtarake, ministri i parë dhe themelues i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës”, ka qenë përshkrimi i figurës që i është ndarë dekorata. “Kjo ceremoni e sotme dekorimi, le të jetë një shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejta dhe prosperitet të kombit shqiptar”, është shprehur Nishani. Presidenti i Shqipërisë i ka dekoruar 19 persona, ish luftëtarë të UÇK-së shumica e të cilëve gjatë luftës janë idenfikuar me FARK-un. Kreu i Shtetit i vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” pas vdekjes Salih Çekajn, Zahir Pajazitin, Tahir Zemajn, Agim Ramadanin, Ekrem Rexhën (Drini), Indrit Carën, Luan Haradinajn, Bekim Berishën (Abeja), Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovcin dhe Smajl Hajdarajn. Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” janë nderuar ish politikanët e LDK-së të vrarë në rrethana të panjohura Enver Malokun, Xhemal Mustafën, Shaban Manajn, Latif Berishën dhe Ukë Bytyqin, ndërkaq me Titullin “Për merita të veçanta civile” Ismet Rracin, Agim Hajrizin dhe Haki Imerin.

Fjala e plotë e presidentit Nishani

“Historia botërore e veçmas historia evropiane ka dëshmuar se, historitë e popujve të vegjël kanë kaluar nëpër portat e tragjedive të mëdha. Ky vlerësim i përgjigjet edhe historisë së popullit shqiptar, që si rrallë ndonjë popull është ballafaquar me robërinë e rëndë dhe iu desh të kalojë rrugë të gjata e me sakrifica të jashtëzakonshme për mbijetesë.

Kështu flasin faktet historike nga lashtësia ilire e deri në ditët e sotme, plot me ngjarje e kthesa të mëdha, ndër të cilat më e shquara ishte epoka e Skënderbeut, kur Shqipëria e vogël, ngadhënjeu plot 25 vjet radhazi ndaj perandorisë më të madhe të kohës, për t’ia rikthyer shpresën e qëndresës për mbijetesë popullit shqiptar, i cili nga shkëlqimi i shpatës së Skënderbeut, u vesh me krenari dhe vetëbesim për ta vazhduar udhën e lirisë, e cila, siç e dimë të gjithë, ishte e gjatë dhe me sakrifica të mëdha. Mirëpo, pikërisht në sakrificat e mëdha, qëndron edhe krenaria jonë e veçantë kombëtare, që, gjithnjë e gjithmonë bëri lufta të drejta dhe të pastra çlirimtare, dhe kurrë lufta robëruese.

Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni, vëllezër dhe motra,

Në faqet e historisë se kombit shqiptar, kapitulli më i veçantë i krenarisë kombëtare është Kosova, martirja heroike, që, ndonëse ka kaluar nëpër portat e tragjedisë së madhe, si feniksi, me shekuj është ringjallur nga hiri dhe nuk është ndalur deri në kurorëzimin e fitores së plotë, duke u bërë shtet i lirë dhe i pavarur.

Sot, kur Kosova shënon 7-vjetorin e Pavarësisë, e kujtojmë me krenari qëndresën heroike të Adem Jasharit, i cili, me mënyrën e flijimit historisë sonë kombëtare ia pasuroi faqet dhe me një akt qëndrese legjendare, unike në historinë botërore, si për nga forma ashtu dhe për nga përmbajtja e saj.

Historianëve u përket që ta bëjnë vlerësimin, por, le të më lejohet edhe mua ta konsideroj unike në historinë e re botërore edhe filozofinë politike dhe vizionaritetin e strategjisë çlirimtare të Dr. Ibrahim Rugovës, i cili ia imponoi njerëzimit doktrinën e re të mposhtjes së robërisë, duke u përcaktuar për ‘luftën paqësore’ për çlirim me porosinë për ‘mbrojten e pragut të shtëpisë’ që koha e vërtetoi se ishte çelësi efikas për realizimin e kauzës kombëtare të Kosovës. Dhe, pikërisht këtu vjen në shprehje tradita luftarake shqiptare, e cila reflekton veprime paraprakisht të konceptuara strategjike, siç është qëndresa heroike e Kullës së Jasharajve në Prekaz, që sikurse Oso Kuka në Kullën e Barotit, e kishte të prerë vendimin: për së gjalli të mos lejohej cenimi i pragut të shtëpisë! Ky guxim nuk është i rastit, por vazhdimësi e heroizmit tradicional të Drenicës, nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, Azem Bejta e Shaban Palluzha e deri te Aziz Zhilivoda dhe pinjolli i familjes së tij, Heroi i Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Ky heroizëm u shpreh fuqishëm edhe nga heronjtë e ri të luftës së fundit çlirimtare, që lartësuan namin e Kosovës anembanë: si komandantët Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Sali Cekaj, Tahir Zemaj, Luan Haradinaj, e Smajl Hajdaraj, si Fehmia dhe Xheva, veprimtarët dhe luftëtarët atdhetarë Ukë Bytyqi, Ismet Raci, intelektualët atdhetarë misionarë të demokracisë dhe shërbestarë të devotshëm të idealeve liridashëse: Latif Berisha, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, e deri te Indrit Cara nga Kavaja, që u flijua për çlirimin e Kosovës; Bekim Berisha-Abeja që me emrin e tij na bën të gjithëve të ndihemi krenarë.

Për çlirimin dhe lirinë e Kosovës u flijuan bijtë dhe bijat më të mira, që me punën dhe jetën e tyre janë vlerat e lavdisë dhe krenarisë së përjetshme të kujtesës historike, që, kam besimin e plotë se do të ushqejë brezat e ardhshëm për jetësimin e idealeve të tyre, sot dhe nesër.

Kjo ceremoni e sotme dekorimi, le të jetë një shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejta dhe prosperitet të kombit shqiptar!

Kjo ceremoni dekorimi, le të jetë edhe mesazhi ynë për të gjithë shqiptarët, se ne i vlerësojmë dhe respektojmë ata që luftuan për ditë më të mira të kombit tonë si dhe të gjithë miqtë dhe aleatët e shqiptarëve që iu bashkuan në këto sakrifica kombit dhe përpjekjeve shqiptare”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here