Nipi i Mehmet Maliqit kërkon të trajtohen krimet e komunizmit në Kosovë

0

Pasardhësi i Mehmet Maliqit, djali i Shkëlzen Maliqit, aktiviti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, mendon se është mirë që të krijohet një mekanizëm i cili do të trajtonet krimet e komunizmit në Kosovë.

Në një prononcim për Dialogplus, Maliqi, propozimin e tij e ka bërë në kontekst të temës, aktuale, Gjykatës Speciale.

«Jam pro themelimit të Gjykatës Speciale. Është vërtet mëkat që ajo duhet të themelohet në këtë formë, si një imponim politik i jashtëm dhe si një masë e jashtëzakonshme ligjore. Por ja që ne ende nuk i kemi mekanizmat e brendshme për t’u përballur me çfarëdo problemi të një natyre më të rëndë – që nga krimet e individëve të caktuar gjatë dhe pas luftës, e deri te abuzimi me pushtet i elitave politike.

Ballafaqimi me të kaluarën është një proces i dhimbshëm, por i domosdoshëm për t’ia mundësuar një shoqërie forcën dhe kohezionin për të ecur përpara – një proces me të cilin janë përballur shumë vende që kanë kaluar nëpër luftëra, konflikte civile apo regjime jodemokratike. Ky proces i shëron plagët tona të brendshme, na çliron njëkohësisht nga shumë barra dhe na i vendosë disa standarde të shëndosha civilizuese për të ardhmen. Duhet ta ngulisim në kokë se është e padrejtë dhe e papranueshme që në një vend i cili pretendon të jetë europian, viktimave të dhunës arbitrare t’u mohohet drejtësia, kushdo qofshin ata dhe kushdo qofshin shkaktarët. Do të dëshiroja që njëkohësisht ta krijonim një mekanizëm i cili do të merrej edhe me plagën tonë tjetër të madhe, atë të krimeve të regjimit komunist, i cili u ka shkaktuar plagë të rënda shumë familjeve.

E gjithë kjo punë natyrisht e ka edhe një prapavijë politike. Një pjesë e mirë e akuzave ndaj UÇK-së janë të bazuara në shpifjet e regjimit jodemokratik serb që u përfshinë në raportin e Dick Martyt. Por përtej kësaj, është po ashtu fakt se në rrethanat kaotike të luftës dhe të pasluftës ka pasur edhe viktima civile në mesin e pakicave dhe shqiptarëve, që u konstatuan edhe nga një prokuror amerikan. Mohimi i këtij fakti nuk i bën nder luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe as raporteve tona me shtetet që na çliruan pikërisht duke u thirrur në parimet e të drejtave të njeriut dhe që e çuan gjithë kreun shtetëror të Serbisë në Hagë. Sa më shumë që e pamundësojmë transparencën rreth këtyre akuzave; sa më shumë që i lidhim krimet eventuale të individëve me idenë se kjo është njollosje e gjithë UÇK-së apo barazim mes xhelatit dhe viktimës, aq më shumë, në fakt, jemi ne vetë ata që e njollosim UÇK-në dhe e bëjmë këtë barazim. Nuk do të ketë kurrë vend për barazim me një shtet fashist nëse, ashtu siç kemi qenë në anën e drejtësisë në vitin 1999 si viktima, tani sërish dalim në anën e drejtësisë – për viktimat.», ka thënë Maliqi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here