Nipi i ish mbretit Zog në gjendje të rëndë financiare,nxjerrë villën e Durrësit në shitje

0

Duket se situata financiare e pasardhësit të ish-mbretit Zog nuk është aspak e mirë. Kjo për faktin se Leka II Zogu ka prej kohësh një kredi të pashlyer në një bankë të nivelit të dytë dhe tashmë do të jetë i detyruar të humbasë një nga pronat më me vlerë që i ka lënë gjyshi për ta shlyer.

“Shqiptarja.com” ka zbuluar se Vila e Zogut në Durrës ka dalë në ankand nga një shoqëri përmbarimore në mënyrë që të shlyhet kredia prej 518 mijë euro, që ka marrë në 2009 nipi i Ahmet Zogut.Duke dashur që të ndalojë shitjen e Vilës së Zogut në Durrës, Leka II më 31 mars 2015 ka paditur shoqërinë përmbarimore në Gjykatën e Tiranës.

Në padinë e ngritur nga trashëgimtari i Familjes Mbretërore thuhet: “Kundërshtim të veprimeve përmbarimore të vendimit të përcaktimit të vlerës së sendit (truall, ndërtesë), Vila Durrës nr. 858 Prot dt. 27.03.2015, si dhe të Lajmërimit (për shitjen e sendit sekuestruar dhe të vlerësuar) me shkresën nr. 859 dt.”

Gjyqi në 2012
Ashtu siç ka bërë të ditur “Shqiptarja.com” që më 25 maj 2012, Leka II Zogu e ka humbur gjyqin me bankën për kredinë e pashlyer që dy vjet më parë. Më 15 maj 2012 Gjykata e Tiranës vendosi të sekuestrojë një nga vilat e princit Leka, për shkak se ky i fundit për 25 këste me rradhë nuk ka paguar kredinë. Vendimi për bllokimin e vilës dhe një pjesë të eurove është marë nga gjyqtarja Elda Vrioni, ku pas kërkesës së bankës, gjykata ka vendosur menjëherë pranimin e saj.

Sipas vendimit, bëhet fjalë për lidhjen e një kontrate mes Leka II Zogu dhe një banke të nivelit të dytë. Në bazë të kontratës lëvrohej një shumë prej 518.022 euro dhënie për blerje shtëpie me një afat prej 300 muaj. Personi që ka marë këtë shumë është Leka II Zogu, i cili nuk ka shlyer këstet mujore.

Historia e vilës
Vila është e vendosur në kodrën me lartësi 98 metra mbi nivelin e detit. Ndërtimi i saj filloi në vitin 1926 si rezidencë e Presidentit, pasi Ahmet Zogu ende nuk ishte bërë mbret. Kristo Sotiri, arkitekti i laureuar në Italisë, projektoi dhe ndërtoi në kodër variantin e parë.

Godina mori formën përfundimtare në 1937 nën kujdesin e arkitekteve dhe specialistëve italianë, vetëm pak muaj para martesës se Zogut me konteshën hungareze, Geraldine Apony. Nga 1945 vila është përdorur si rezidencë qeveritare, ku shpesh janë akomoduar të ftuar të huaj të rëndësishëm si Nikita Hrushov, ose pas ’90 ish-Presidenti amerikan, Xhimi Karter. Në 1997 brenda dy ditësh ndërtesa u grabit dhe humbi shkëlqimin e saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here