Nga keqqeverisja me plan në keqqeverisje pa plan

0

VALON HOTI

Po bëhet një vit e gjysmë prej që në Malishevë u premtua që do të ketë ndërrim të mënyrës së qeverisjes, por edhe sot e asaj dite vazhdon çdo ditë e më shumë të na dëshmohet se është bërë fjalë, vetëm për ndërrim pushtetarësh. Mbase edhe kjo nuk ka ndodhur, ngase një pjesë e madhe e kësaj qeverisje ishin pjesë e qeverisjes së kaluar. Kushedi , ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore që ka ndikuar që të vazhdohet me qeverisje të njëjtë, mos edhe më keq. Pra, edhe ndërrimi i pushtetarëve ka ndodhur vetëm ne nivelin e lartë udhëheqës, qoftë si strukturë brenda institucionit qoftë si strukturë jashtë institucioneve lokale, ku këta të dytit në fakt sot janë udhëheqësit e vërtetë të qeverisjes lokale.

Premtimet që kryetari Begaj bashkë me kabinetin e tij patën bërë gjatë fushatës ishin të tilla që bashkë me keqqeverisjen e PDK-së dhe sjelljen arrogante të tyre bën që qytetarët të mendojnë se bëhej fjalë për diçka shumë më ndryshe nga se kishin parë më herët. Por gjatë gjithë kësaj kohe kjo qeveri nuk ka arritur as edhe me një veprim, punë apo projekt të vetëm t`ua dëshmoj qytetarëve që është më ndryshe nga qeverisja paraprake.

Gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë muajve qeverisje, pushteti jo vetëm që nuk filloi të mendoj realizimin e premtimeve që kishte dhënë, por ai u kujdes të veproj për keq aty ku mundi e i`u dha mundësia, krejt kjo për shkak të premtimeve jopublike të bëra në oda e kafene, ndaj qytetarëve të varfër e të papunë, ndaj bizneseve të ndryshme, militantëve të tyre. Pra përmes kushtëzimesh e pazaresh për votë, në këmbim të punës, asfaltit, tenderit, lopës, ndihmës sociale etj.

Rasti me konkurset e drejtorëve të shkollave dhe stafit mësimor, na e shpërfaqë më së miri këtë, ai ndoshta qe edhe rasti i parë për ta kuptuar “fytyrën” dhe qëllimin e vërtetë të këtij pushteti. Emërimi i shumë drejtorëve pa kualifikim adekuat nëpër shkolla fillore dhe ato të mesme, u bë pothuajse i gjithi mbi baza partiake, i përcjellë me përjashtimin e shumë profesorëve nga shkollat për hakmarrje politike duke i zëvendësuar me militant partiak, krejt kjo në mënyrë të pamoralshme dhe të kundërligjshme.

E nëse dikush ka për t`i mbajtur mend zgjedhjet lokale te vitit 2013, kjo do te jetë edhe për shkak të premtimeve publike që bëri IQM-ja (tash Nisma për Kosovën). E ato ishin prej më të ndryshmëve, që nga stacionet e autobusëve nëpër fshatra, departizimi i arsimit, investimet në bujqësi, investime në projekte të mëdha infrastrukturore, rruga transitit e deri tek krijimi i zonave për përdorim të lirë të internetit ËI-FI dhe rimbursimi i udhëtimit për nxënësit e shkollave të mesme. Nuk besoj që i`a vlen të flasim për secilin premtim veç e veç, jo vetëm për faktin që ato ishin të shumta për nga numri, por për faktin se ato të gjitha e kishin një të përbashkët, mosrealizimin.

Që një qeverisje të jetë e suksesshme, sigurisht që brenda saj përveç konceptit politik dhe programor duhet të ketë njerëz të cilët së paku nuk kanë “aftësinë” për ta keqpërdorur pozitën dhe paranë publike. Kabineti i Begajt është i pasur me njerëz që fatkeqësisht i posedojnë këto “aftësi” kurse edhe ata pak drejtues të përgjegjshëm ballafaqohen me mungesë profesionalizimi dhe për më keq me ndërhyrje në punën e tyre.

Qysh në fillim kemi parë që emërimet në pozita janë bërë sipas dirigjimeve dhe lidhjeve të forta nga lart, ku nuk janë marrë për bazë parimet, profesionalizimi dhe dija. Nuk kemi edhe një rast të vetëm, kur kjo qeveri ka angazhuar një profesionist të një fushe të caktuar, i cili është jashtë subjektit të tyre, për të udhëhequr me një drejtori, apo në ndonjë pozicion tjetër dhe as edhe një rast kur ata pak zyrtarë kanë mundur të shprehin profesionalizimin e tyre. Në shumicën e drejtorive janë emëruar njerëz të cilët shquhen për mungesë profesionalizmit, me bagazh jaranie e për pasojë edhe me mungesë vullneti kur këtë ia shton apetitet për të keqpërdorë dhe zhvatur atëherë pasojat janë të ditura.

E për ta dëshmuar vendosmërinë e tyre në rrugëtimin e mbrapshtë, qeverisja lokale e IQM/NISMA me gjithë shenjat e qarta të pakënaqësisë qytetare për qeverisjen e tyre dhe nevojën për ndryshim rrënjësor, ata në vend që të reflektonin pozitivisht ndaj kërkesave qytetare për ndërrim kursi vendosën që ta vazhdojnë kursin e njëjtë të keqqeverisjes duke ndarë pushtetin dhe interesat e tyre të ngushta me LDK-në, subjekt ky që në Malishevë ka 15 vite që vetëm bën sehir duke mos vënë as edhe një gur të vogël në ndërtimin e jetës shoqërore dhe politike dhe që ka bashkëjetuar pa asnjë problem me të gjitha pushtetet prej të cilave ka fituar ca pozita dhe favore, duke e mbytur kështu edhe opozitarizmin dhe kritikën qytetare.

Prej që i ndjek zhvillimet politike në Malishevë nuk kam parë edhe një moment të vetëm kur LDK-ja është gjetur në krahë të qytetarëve. Ajo edhe pse gjithmonë numerikisht opozita më e madhe brenda kuvendit, asnjëherë nuk i përdori këta numra dhe organizimin e saj për ti bërë kritikë parimore e argumentuese pushtetit, por as edhe për ta ndalur ndonjë proces të dëmshëm, e ne e dimë që të tilla procese ka pasur shumë. Ata gjithmonë vendosën interesat personale e klanore para interesave të qytetarëve, çdo herë kanë bërë marrëveshje e kompromise në dëm të qytetarëve sa herë që i është ofruar ndonjë kockë nga pushteti, dëshmia më e mirë është heshtja e LDK-së për rastin e shkeljeve në arsim vetëm pse kryetari i tyre, Januz Kastrati u rehatua si zëvendës drejtor në Qendrën e Kompetencës “Abdyl Frashëri” kurse ca mësimdhënës të tjerë në udhëheqjen e LDK-së u siguruan se nuk do të preken.

Pra, është shumë e vështirë të presësh që gjërat do të ndryshojnë për mirë, kur dihet se me kë kemi të bëjmë. Nëse Ragip Begaj mendon të ndryshoj qeverisjen dhe mendon se këtë mund ta bëjë me dhe përmes LDK-së, ai është duke gabuar rëndë. Modelin e LDK-së Begaj e ka rastin ta shoh tani në nivel qendror ku bashkpartiakët e tij çdo ditë me të drejtë kundërshtojnë dhe denoncojnë qeverisjen e Isa Mustafës. Kurse emrat e përfolur dhe tashmë të formalizuar për poste udhëheqëse nga LDK-ja në qeverisjen lokale të Malishevës janë shembull i mirë i bashkimit të së keqës dhe të këqinjve, klientelizmit me klanet, dhe injorancës me makutërinë nga e cila do të vuajnë qytetarët e Malishevës.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 qytetarët u gjenden para dy mundësive: Në njërën anë kishin Lëvizjen VETEVENDOSJE!, e cila kishte një koncept të ri politik dhe programor i përcjellë me një program konkret i quajtur Alternativa Qeverisëse për Malishevën të cilin e përfaqësonin një gjeneratë e re politikanësh, ekspertësh dhe aktivistësh qytetarë kurse në anë tjetër kishin mendësinë e njëjtë e ndarë në 3 subjekte të ndryshme PDK-IQM-LDK të cilat kishin potencialin për premtime boshe, e pa plan, por të bazuara tek klientelizmi, shantazhi, vendi punës, thesi i miellit etj që ato tradicionalisht kanë përdorur. Në fund fituan metodat e tyre dhe jo vullneti i qytetarëve sepse ata edhe këtë herë nuk zgjodhën, ngase fjalën përfundimtare nuk e thanë ata-votuesit por propaganda dhe mjetet e trios PDK-IQM-LDK. Por kjo me gjasë do të mbahet mend edhe si hera e fundit kur qytetarët nuk mundën t`i rezistojnë manipulimit, shantazhit, presionit, e premtimit pa mbulesë, pra do mbahet mend si mashtrimi i fundit.

Tashmë ata çdo ditë e më tepër po e kuptojnë ‘’tradhtinë’’ e bërë ndaj tyre, dhe sigurisht që janë shumë më të vetëdijshëm që nuk ka kohë për të humbur dhe për të besuar qorrazi. Gjendja e mjerë socio-ekononike e përcjellë me degradim në arsim, shëndetësi dhe kudo tjetër si dhe injorimi që u bëhet nga secili pushtet i deritanishëm do jenë argumente të mjaftueshme që qytetarët votën e tyre ta orientojnë jo vetëm duke dënuar keqqeverisjen moskokëçarëse dhe mentalitetet e vjetra politike dhe klanore por edhe duke zgjedhur vet dhe drejtë përfaqësuesit e tyre të vërtetë, ata që i përfaqësojnë interesat qytetare dhe i mbrojnë ato.

(Autori është asamableist i lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Malishevës)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here