Nevojë e ngutshme përafrimi i legjislacionit për arsimin mes Kosovës dhe Shqipërisë

0

Gjatë realizimit të vizitës zyrtare në Kosovë, delegacioni nëntë anëtarësh i Komisionit Parlamentar për Edukim i Shqipërisë, i kryesuar nga Genc Pollo, kryetar këtij komisioni , është pritur sot nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, me ftesë të të cilit po realizohet kjo vizitë.
Kryetari i Komisionit për Arsim…, Nait Hasani, duke iu uruar mirëseardhje anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Edukim të Kuvendit të Shqipërisë, ka vënë në pah rëndësinë e madhe për arsimin dhe kulturën kombëtare që ka bashkëpunimi në këta lëmenj të jetës, e në këtë mes edhe bashkëpunimi ndërmjet dy komisioneve homologe. Duke parë hapësira të mëdha për këtë bashkëpunim, Hasani ka kërkuar që të përmbushen marrëveshjet për arsim të arritura ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Edukim i Shqipërisë, Genc Pollo, ka lavdëruar marrëveshjet e arritura ndërmjet dy qeverive, duke vlerësuar edhe një traditë të mirë të bashkëpunimit në sferën e arsimit edhe në kohëra shumë më të vështira. Ai është angazhuar për bashkëpunim në planin e unifikimit të kurrikulave mësimore dhe të tregut të librit shkollor, në gjithë hapësirën etnike shqiptare, i dobishëm edhe për diasporën tone. Pollo ka përçuar idenë e këmbimit të studentëve dhe të profesorëve ndërmjet universiteteve të të dy vendeve, duke kërkuar që kreditë e fituara gjatë këtij këmbimi të jenë vlefshme për universitetin nga ku kanë ardhur.
Pjesëtarët e të dy delegacioneve kanë sheshuar mundësitë e mëdha të bashkëpunimit në lëmin e arsimit, si dhe pikasur pengesat e kapërcyeshme për t’i arritur objektivat e synuara. Ata e kanë parë si nevojë të ngutshme përafrimin e legjislacionit për arsimin fillor, atë parauniversitar dhe universitar, në të dy vendet, duke vënë në pah sidomos unifikimin e gjuhës juridike dhe teknike në hartimin ligjeve.
Në këtë takim ishte ftuar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve për Presheve, Bujanoc dhe Medvegjë, Jonuz Musliu, i cili ka prezantuar gjendjen tepër të rëndë të arsimit shqip në Luginën e Preshevës. “Nuk na lejohen librat shkollor nga Kosova; 40 për qind e librave për shkollat fillore janë përkthyer keq nga serbishtja, kurse pjesa tjetër mungon fare, ndërkohë që nuk ekziston asnjë libër për shkollarët e mesëm”, ka thënë Musliu, duke kërkuar ndihmë nga Prishtina dhe Tirana për mbijetesën shkollës shqipe në Luginë të Preshevës, si dhe për mundësimin e nostrifikimit të diplomave të shkollarëve të atjeshëm, të fituara në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kryesuesit dhe anëtarët e të dy delegacioneve parlamentare theksuan se instancat shtetërore dhe arsimore të të dy vendeve do të tregojnë kujdes të shtuar për mbështetjen e arsimit shqip në Luginë të Preshevës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë parlamentarët shqiptarë do të vizitojnë edhe institucione shkollore dhe shkencore, si dhe objekte të rëndësishme historike të Kosovës.

komisionet

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here