Nesër mbledhja e dy Qeverive në Tiranë nën moton:”Një Tokë,një Popull,një Ëndërr”

0

Tirana po bëhet gati të mirëpresë mbledhjen e dytë të përbashkët të Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës, e cila do të zhvillohet paraditen e së Hënës në Pallatin e Kongreseve.
Kryeministria shqiptare ka zgjedhur si moto të kësaj mbledhjeje tre fjalë: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”. Holli i Pallatit të Kongreseve është konceptuar i ndarë në 3 pjesë, ku bie në sy tryeza në formë rrethore me ngjyrë blu, mbi të cilën janë vendosur flamujt e BE-së, ku do të ulen të dy kabinetet qeveritare.

Në mes do të vendoset një shqiponjë  3 dimensionale, kurse anash dekori parashikon vendosjen e flamujve të dy vendeve. Një kënd i veçantë është dedikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe një tjetër për konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrave Rama dhe Mutafa.

Rreth orës 10:40 pritet mbërritja e delegacionit të qeverisë së Kosovës, 20 minuta më pas do të jetë fillimi i mbledhjes së dy qeverive, e cila do të zgjasë 60 minuta, nga ku më tej do të vijohet me nënshkrimin e marrëveshjeve.
Pas fjalës përshëndetëse të dy kryeministrave, ministrat e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij Hashim Thaçi, do të bëjnë prezantimin e partneritetit strategjik.
Por, çfarë marrëveshjesh do të jenë në tryezën e bisedimeve? Top Channel ka mundur të sigurojë draftin përfundimtar të dakortësuar prej dy qeverive me 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle të cilat janë:
1.  Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3.  Protokoll  mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6.  Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7.  Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje  për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9.  Protokoll  “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

Kryefjala e mbledhjes së dytë të dy qeverive do të jetë  thellimi partneritetit strategjik i Shqipërisë me Kosovën, i cili në në një vit ka njohur progres të rëndësishëm edhe në fushën e politikës së jashtme, ku Kosova është bërë pjesë e shumë nismave rajonale dhe për herë të parë në Milano u hap Konsullata e parë e përbashkët mes dy vendeve.
Hapja e kësaj Konsullate parashikohej në marrëveshjen e nënshkruar gjatë mbledhjes së parë të dy qeverive në Prizren./ Top Channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here