Nesër fillon greva në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës, orët e humbura nuk kompensohen

0

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBASHK) ka vendosur që prej nesër të fillojë grevën me qëllim të përmbushjes së kërkesave të punëtorëve të arsimit siq janë pagesa e përvojës së punës e disa kërkesa të tjera të parapara me Kontratën Kolektive. Greva sipas njoftimit do të zgjasë derisa Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës t’i përmbushin kërkesat. Orët e humbura sipas njoftimit të SBASHK-ut nuk do të kompensohen.

 
Më poshtë lexojeni komunikatën e plotë të SBASHK-ut rreth grevës:

 

Nesër (29 prill 2015) grevë në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës

Me qëllim që ecuria e grevës, nesër me datën 29 prill , të shkojë sipas planifikimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut dhe me qëllim që informimi të jetë sa më i saktë e me kohë, si për grevistët ashtu edhe për nxënësit dhe prindërit, përmes Ju medie të nderuara Ju drejtohemi opinionit edhe një herë se greva e përgjithshme në Arsimin parauniversitar dhe në Universitet fillon nesër me datën 29 prill në orën 8 e deri në 12 për arsimin Parauniversitar , ndërsa në universitet nga ora 8 e deri në orën 16.
Gjatë kohës së grevës të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e tyre të punës. Greva do të zgjas për aq kohë sa Qeveria nuk i përmirëson gabimet e lëshuara në listat e pagave për muajin prill siç janë: nuk është marrë parasysh baza e pagës aktuale, nuk janë përfshirë të gjithë të punësuarit në arsim në pagesën e përvojës së punës si dhe nuk është llogaritur përvoja e punës nga viti 2008 e deri në vitin 2015. Këtu nuk duhen harruar edhe obligimet tjera të Qeverisë që dalin nga Kontrata Kolektive , e nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it.
E ftojmë anëtarësinë që lidhur me grevën dhe ecurinë e saj, të bazohen vetëm me deklaratat publike të SBASHK-ut.
Kërkojmë nga institucionet shtetërore qendrore e lokale që të mos bëjnë presion në anëtarësinë rreth grevës, por të ulen e të përmbushin obligimet e tyre karshi Kontratës Kolektive në mënyrë që greva të jetë sa më e shkurtër.
Nga nxënësit e prindërit kërkojmë mirëkuptim dhe përkrahje për realizimin e të drejtave tona sipas dokumenteve të nënshkruara mes SBASHK-ut dhe MASHT-it.
Nxënësve Ju kërkojmë ndjesë për humbjen e mësimit, e në veçanti maturantëve, që tani më janë në përfundim të vitit shkollor e aq më shumë duke pasur parasysh se orët e humbura nuk do të kompensohen. Për këtë fajtor i vetëm janë institucionet e Kosovës të cilat nuk zbatojnë dokumentet dhe vendimet e veta të aprovuara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here