Nertila Marku: “Gratë janë numër, janë fasadë, janë ‘të padukshmet’ e ideve dhe punëve gjeniale”

0

Aktivistja e feminizmit, Nertila Marku, është e pakënaqur me hapësirën që gratë kanë në vendet ku jetojnë shqiptarët. Ajo ka thënë se në organizmat shoqërorë gruaja është vetëm dekor. Sipas Markut, është edhe vetë gruaja ajo që e ndihmon burrin kundër vetes. Ajo, në një intervistë, ka veçuar veriun e Shqipërisë si një zonë ku gruaja qëndron më keq. Për Kosovën ka thënë se i duket që i jep më shumë hapësirë gruas. Marku aktualisht është koordinatore e Shoqatës “Në dobi të Gruas Shqiptare” për të gjithë veriun shqiptar. Ajo ka mbaruar studime në Diplomaci, ndërkaq vazhdon studime për Drejtesi. Ajo është opinioniste dhe autore e dy romaneve me tematikë femren dhe krimin e organizuar, “Krime në purgator”, dhe “Agjentja në dhomat e kuqe”. Marku u lind në Lezhë por jeton në Tiranë dhe është njëzet e gjashtë vjeç.
Çka ju shtyri që të bëheni feministe?
Të bëhesh feministe, nuk është zgjedhje. Ështe rrjedhojë natyrale e një gjendjeje të vazhdueshme të trajtimit të femrës si objekt e jo subjekt. Është një mision që sapo të jesh “plagosur” në fushën e tij, lufton për ta gëzuar si status me vullnet shpesh të tepruar, sepse nevojat e grave në vendet si Shqipëria, janë çështje domosdoshmërie.
A mund të na sqaroni konceptin e feminizmit?
Koncepti i feminizmit, shpesh në vendin tonë keqintepretohet. Madje, deri në njëfarë mase mendoj se nuk jam ajo feministja e dogmës universale që shpjegohet në disa literatura botërore. Per shembull, nëse feministët e këtij lloji luftojnë që aborti të jetë një zgjedhje krejt normale, unë jam totalisht kundër abortit, përjashto rrezikimin e jetës së gruas. Çdo grua që lufton për të drejtat e grave publikisht, apo me pasion edhe privatisht, jo domosdoshmërisht është feministe e dogmës universale mbi feminizmin.Unë luftoj që gratë të dalin nga gjendja e gjatë e nje gjumi letargjik që ka përgjumur çdo të drejtë, duke filluar që nga e drejta e jetës së rrezikuar prej “moralit”.
Si e shihni sot gjendjen e gruas në hapësirat shqiptare?
Nuk shoh hapësira për gruan, shoh që ka hapësira vetëm për burrat, dhe vetëm aty ku këto hapësira nuk mbushen për numër, atëherë burrat kthejnë kokën nga gratë. Gratë janë numër, janë fasadë, janë “të padukshmet” e ideve dhe punëve gjeniale.
Gruaja a është dekor në subjektet politike e në institucione sot në hapësirën shqiptare apo ka rol të vërtetë si grua?
Falë eksperiencave apo praktikave studentore më ka qëlluar të jem vetë në dy subjekte politike, dhe konfirmoj që gratë janë dekor. Të thuash që unë nuk isha dekor, kjo është e vërtete, sepse në asnjë rast nuk ka bërë vaki të kem lexuar deklaratë të shkruar nga të tjerët, por gjithnjë të punuar vetë,ose duke bashkëpunuar me kryetarët apo kolegët e tjerë për pikat që mund të cilësoja gjatë deklaratave të mia. Kur shoh kolegë zëdhënëse në ekrane, apo edhe deputete, që flasin me gjuhë burrash hakmarrës, më vjen vërtetë keq dhe lumturohem që kam dorëzuar “çelësat” e zyrave politike.
Meqë jeni e angazhuar në veri të Shqipërisë, si ështe gjendja e gruas në këtë pjesë, dhe a mund të thuhet që në këtë zone është më keq se në të tjerat, për shkak se ështe raportuar që kjo anë të jetë më problematike edhe në sfera të tjera?
Kjo është e vërtetë. Madje, kur më ka qëlluar që puna ime të lidhet me gratë e jugut ose Shqiperisë së mesme, kam dëgjuar nga ato shprehjen “Po bëhemi edhe ne më keq se veriu”. Pra, në çdo cep të Shqipërisë, kushdo është i bindur se niveli i dhunës dhe shkeljes së të drejtave të grave është më i madh. E qartë, që kjo ka ardhur si rezultat i një historiku që pat mbyllur Shqipërinë me 500 vite rezistim më të madh ndaj pushtuesve aso kohe sesa zonat tjera, 45 viteve diktaturë më të eger në ato zona, e tashmë, mbi 20 viteve luftë për mbijetesë nga produkti i kapitalizmit mashkullor në sferën ekonomike dhe sociale.Sepse në situata të tilla, padyshim meshkujve u është dashur të përballojnë më së shumti punët jashtë shtëpisë, duke konfiguruar gruan vetem si “objekt” i brendshëm.
Ku mendoni se është më keq gjendja, në Shqipëri, Kosovë…?
Në të gjitha drejtimet e përfshirjes së gruas në vendimarrje, ose në trajtimin e saj si qenie sociale, mendoj që Kosova është në një gjendje më pak të mjerueshme. E kam vënë re dhe vetë personalisht, që burrat kosovarë, kanë më respekt për cilësite integrale të një femre në karrierë publike. Po ashtu, kur ndjek zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri paralelisht, fjala e deputetes së Kosovës është më e lirë në publik, sesa fjala e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë. Këto të fundit, po bëhen vegla të rëndomta të konflikteve politike që prodhohen nga burrat parlamentarë.
Cilat janë ato sjellje që ju pengojnë më shumë në raport me gruan?
Trajtimi si “qenia” e dobët. E dobët për të vepruar, e dobët për t’u mbrojtur, e dobët për të vendosur, e dobët për të jetuar pa një burrë në krah… A i ndihmon edhe gruaja vetë burrin kundër vetvetes? Kjo është mëse e vërtetë. Ndoshta është dhe problemi më i madh që unë kam konstatuar gjatë angazhimit tim civil me gratë. Ka një kulturë të rrënjosur negative “Gruaja duhet rrahur ndonjëherë”, “Grua e pa burrë, ç’të thuash”…Më e rënda është se vetë gratë pra, kanë krijuar këtë paragjykimin ndaj vetes, që nëse nuk kritikohen apo rrahen, apo nëse nuk i dhunojnë, mungon interesi për to… Kjo shoqëri ka nevoje urgjente për një psikolog mbinatyror, që të hiqet nga kultura parimi “Kush të do, të rrahë”.
Jeni për barazi të gruas me burrin apo për dominim të saj?
Nuk jam as për barazi e as për dominim. Unë jam për bashkërendim sipas nevojave shoqerore, për ta çuar familjen drejt harmonisë që ka humbur, për ta çuar komunitetin drejtë një bashkëjetese që nuk cenohet nga paragjykimi i vajzës, gruas apo motrës së kujtdo. Jam mbi të gjitha, që grave mos t’u vendosen numra. Stop kuotave! Gratë s’janë për t’u numëruar si fleta votimi që i numërojnë, grisin, vjedhin, dhunojnë…Grate janë/duhet të jenë vota e paprekshme në duart e burrave që vendosin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here