Nëntë të vrarë në Karolinën e Jugut

0

Nëntë vetë humbën jetën kur një person i armatosur hapi zjarr në një kishë afrikano-amerikane në qytetin Charleston të Karolinës së Jugut mbrëmë vonë, në një sulm që policia po e heton si krim i nxitur nga urrejtja racore.

Shefi i Policisë së Charlestonit Greg Mullen u tha gazetarëve se një mashkull i bardhë në të njëzetat hyri në Kishën Afrikane Metodiste Episkopale Emanuel gjatë një takimi të përjavshëm lutjesh dhe hapi zjarr. Mullen tha se tetë vetë vdiqën në kishë dhe i personi i nëntë vdiq pasi u dërgua në spital.

Shefi i policisë tha se tragjedia po hetohej si krim urrejtjeje. Kryetari i Bashkisë së Charlestonit, Joseph Riley e quajti sulmin “një tragjedi të papërshkrueshme dhe të dhimbshme”.

“E vetmja arsye që një person të hyjë në kishë dhe të vrasë është nga urrejtja. Është veprimi më burracak që mund të imagjinohet dhe ne do ta sjellim atë person para drejtësisë shumë shpejt”.

Sipas njoftimeve të medias, një nga viktimat ishte prifti i kishës dhe senator i shtetit, Clementa Pinckney.

Një grup banorësh dhe priftërinjsh u mblodhën pranë vendit të ngjarjes dhe krijuan një rreth lutjesh në rrugë.

“Është një situatë e tmerrshme. Dhe ka shumë pyetje ende pa përgjigje. Po dëgjojmë se një burrë i bardhë hyri në një kishë afrikano-amerikane dhe hapi zjarr ndërsa besimtarët po luteshin, po studionin biblën. Kjo është e papranueshme, e papranueshme. Kemi kohë që lutemi, duke u ulur në gjunjë por ka ardhur koha të ngrihemi”.

Policia u detyrua të evakuojë zonën përreth pas një kërcënimi për bombë, që më pas u hoq.

Shefi i policisë tha se autori i sulmit nuk është kapur ende dhe besohet të jetë shumë i rrezikshëm.

Kisha Emanuel është themeluar në mes të shekullit të 19-ë, duke u bërë një nga objektet fetare më të vjetra afrikano-amerikane në jug të Shteteve të Bashkuara. Një fotografi e udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King, Jr në altarin e Kishës në vitet 1960, u postua në Twitter nga Qendra King.

Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley lëshoi një deklaratë ku ngushëllonte viktimat, duke thënë se “nuk do ta kuptojmë kurrë se çfarë e motivon dikë që të hyjnë në një kishë dhe t’i marrë jetën njerëzve të tjerë”.

Kandidati presidencial republikan Jeb Bush anulloi aktivitetet e fushatës që kishte planifikuar për sot në Charleston.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here