Në Tuz u shënua 45-vjetori i Besëlidhjes së Malësisë

0

Katërdhjetepesë vjet më parë, Kuvendi i burrave të Malësisë vendosi që të parandalojnë gjakmarrjen në Malësi, ku vetëm dorasi të jetë përgjegjës dhe të ndjeket për krimin e bërë, ndërsa familja, vëllazëria dhe fisi i dorasit të mos jenë më objektiv i hakmarrjes, Besëlidhje kjo e cila nuk u thye asnjëherë deri në këto ditë.

Të dielën, më 28 qershor 2015, në QKI Malësia në Tuz, nën organizimin e SHKA Rapsha u zhvillua akademia shkencore për nderë të 45 vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë e vitit 1970, raporton koha.net.

Në fillim të u shfaqë dokumentari Pajtimi i Gjaqeve, ndërsa të pranishmit i përshëndeti i deleguari special i presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Flamur Gashi.

Fjalët përshëndetëse i drejtuan edhe Imzot Zef Gashi, Imami Rexhep Lika, i cili ishte edhe ndër pjesëmarrësit e gjallë të Besëlidhjes të 1970, Martin Ivezaj, po ashtu pjesëmarrës i Besëlidhjes, ndërsa në pamundësi të jenë prezentë, u lexuan edhe fjalët përshëndetëse të Dom Ndue Gjergjit dhe Akademik Mark Krasniqit.

Në manifestim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të Komunës urbane të Tuzit, partive politike si dhe organizatave joqeveritare.

Pas fjalëve përshëndetëse, vazhdoi pjesa akademike ku u prezantuan kumtesat (në versionin e shkurtuar):

z. Fran Camaj prezantoi punimin e tij me tematiken, “Organizimi dhe mbajtja e Kuvendnit dhe rëndësia e saj”, Prof. Dr. Akademik Anton K. Berishaj, “Konteksti socio-kulturor i Besëlidhjes së Malësisë 1970″, Patër Pashko Gojçaj, “Besëlidhja e Malësisë e vitit 1970 bazë e ndryshimit të mentalitetit në Malësi”, Prof. Dr. Martin Berishaj, “Besëlidhja përtej Kanunit”, dhe z. Luigj Junçaj, “Pasojat e hakmarrjes dhe Besëlidhja e Malësisë e vitit 1970, akt i zhdukjes së hakmarrjes”.

Në mungesë të autorëve, u lexuan edhe kumtesat e përgatitura të Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, “Dy besëlidhje kundër gjakmarrjes: Besëlidhja e Malësisë dhe Besëlidhja e Rugovës”, Don Lush Gjergji, “Pajtimi dhe falja – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi”, Pro.Dr. Roland Ilia, “Ligjet e pashkruara me përqëndim ne Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe hakëmarrja”.

Pas përfundimit të akademisë shkencore, vazhdoi manifestimi me programin artistik në Vitojë, i cili u hap nga kryetari i sajë Lucë Junçaj. Morën pjesë artisti Reshat Arbana, këngëtari Esat Ruka, instrumentalisti Shaqir Hoti, Ilir Shaqiri dhe Nikollë Nikprëlaj, për ta përfunduar gjithë manifestimin me një darkë për të gjithë të ftuarit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here