Në Tiranë vazhdon protesta kundër reformës së propozuar nga qeveria për arsimin universitar

0

Studentë të Universitetit të Tiranës kanë protestuar sërish të mërkurën kundër reformës së propozuar nga qeveria për arsimin universitar.

Më poshtë njoftimi i organizatorëve:

KOMUNIKATË E LËVIZJES PËR UNIVERSITETIN
Sot jemi mbledhur sërish përballë selisë së institucionit nga ku e ka origjinën shkatërrimi i jetës universitare publike: Këshillit të Ministrave të Republikës së Privatëve. Kjo qeveri, pas një procesi okult nga ku u përjashtua shumica dërrmuese e universitarëve, ka miratuar në mënyrë tinëzare projektligjin e arsimit të lartë dhe ia ka dërguar për ligjvënie parlamentit.
Projektligji përbën aktin më të pacipë të shpërdorimit të fondeve publike. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, shteti do të mbajë me para institucione private fitimprurëse, të kamufluara tanimë në të ashtuquajturat universitete publike të pavarura. Nga ky proces kokëposhtë rishpërndarjeje, universitetet publike do të varfërohen edhe më.
Për t’u mbajtur në këmbë pas zvogëlimit të mbështetjes financiare shtetërore, universiteteve publike do t’u duhet të rrisin edhe më ndjeshëm tarifat studentore duke e kthyer shkollën në hapësirë ku do të pranohen vetëm të privilegjuarit dhe të varfrit aventurierë që do të guxojnë të hyjnë në borxhe.
Për t’u mbajtur në këmbë pas braktisjes shtetërore, universiteteve publike do t’u duhet të transformohen në dyqane të rëndomta diplomash dhe qendra marketingu.
Po shkatërrimtaria qeveritare nuk mbaron me kaq. Si të mos mjaftonte varfërimi i universiteteve publike, qeveria kërkon ta kapë për fyti organizimin universitar duke futur burokratë besnikë të saj në trupat më të larta administrative dhe duke përjashtuar studentët nga procesi i vendimmarrjes.
Ne nuk jemi mbledhur sot këtu për t’i kërkuar a lypur ndonjë gjë qeverisë. Për ne qeveria është e kapur dhe funksionon si instrument i interesave private. Ne jemi këtu e do të jemi përherë e më të shumtë e të vendosur për t’iu zotuar njëri-tjetrit se do të bëjmë gjithçka që na lejojnë idetë, besimi dhe vullneti ynë kolektiv për ta detyruar qeverinë dhe shumicën parlamentare që të ndalet.
Ne do të jemi këtu derisa shteti të taksojë privilegjet për të financuar universitetet publike. Ne do të jemi këtu derisa shteti të nisë një proces uljeje të tarifave studentore deri në arsim publik falas. Ne do të jemi këtu derisa shteti të shtojë fondet për përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve. Ne do të jemi këtu derisa shteti të heqë dorë nga prekja e vetëqeverisjes universitare. Ne do të jemi këtu derisa universitetet të udhëhiqen nga universitarët, bashkërisht studentë e pedagogë.
Deri në frymën e fundit do të jemi makthi i qeveritarëve të kapur. Ëndrrat e tyre janë makthi ynë. Ëndrrat tona janë makthi i tyre. Ëndrrat tona janë më të forta. Studentët e bashkuar kanë për të fituar!
Lëvizja Për Universitetin!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here