Në Tiranë hapet ekspozitë në nderim të veprës së Adem Jasharit dhe familjes së tij

0

Muzeu Shtetëror i Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë kanë hapur sot në Tiranë, një ekspozitë të veçantë, në nderim të kujtimit të heroit legjendar të Kosovës, Adem Jasharit, dhe familjes së tij.

Ekspozita e quajtur “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri”, prezanton historinë e Jasharëve, heroizmin dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.

Për herë të parë në këtë ekspozitë u prezantuan për publikun shqiptar edhe armët me të cilat kanë luftuar Jasharët.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Sadik Krasniqi, por edhe homologu i tij shqiptar, Melsi Labi, e përshëndetën këtë ekspozitë ndërsa theksuan se ka një rëndësi jo vetëm kulturore-historike, por ngërthen në vete porosinë dhe mesazhin për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, si dhe mundëson që të vlerësohet flijimi i popullit shqiptar për liri.

“Këto armë të përgjakura i kemi sjellë sot këtu për të kuptuar, për t’ia servirur opinionit të gjerë mbarëkombëtar për lavdinë që ndodhi, sakrificën që ndodhi, lirinë e Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar”, tha Krasniqi.

Ndërsa drejtori i Muzeut të Shqipërisë, Melsi Labi, e konsideroi para së gjithash një detyrim hapjen e kësaj ekspozite dhe përkujtimin e heroizmit të Adem Jasharit.

Ekspozita për Familjen Jashari, do të qëndrojë e hapur për një javë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita tematike dokumentare paraqet fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së UÇK-së, përkatësisht të heroizmit të familjes Jashari, si dhe flijimin me vetëdije të lartë kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Materialet muzeore, që prezantohen në këtë ekspozitë janë: eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta dhe gazeta të kohës që në një masë të caktuar pasqyrojnë Epopenë e Jasharëve në Prekaz. /KP/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here