Në të bëfsha një libër të madh dashurie

0
PETRIT RUKA

 

 

Në se ty do të të bëja një libër dashurie,

Sytë e tu do t’i vija,

Mbi kopertinën e gjerë,

Dhe bojës do t’i jepja aromën e frymës

Që parfumet e tërë botës të ndjeheshin të mjerë.

 

 

Në faqen e parë do të shkruaja si fëmijë:

“…Të dua shumë, që ti më do mua!”

Pastaj nëpër faqet e tjera, kjo dihet,

Dashuri…

Dhe shto dashuri për një grua…

 

 

Pastaj nga mesi i atij libri ca faqe,…

Të tëra bosh,

Me bojë të padukshme,

Nga ato që lexuesi i merr vetë me mend

Për dreq nuk botohen,

Se quhen të “turpshme.”…

 

 

Ato fletë të bardha, të bardha sa ato…

Dhe mjalti e rënkimi, që rrjedh mes për mes,

Dy kryqet prej mishi,

Që mbushen me gozhdë

E asnjeri nuk vdes.

 

 

Tirazhi, kjo dihet, do jetë vetëm një kopje

Dhe letra, ah, letra e rubintë dhe mat.

Për çmim atë puthjen e fundit që s’bëmë,

Pa numur,

Pa datë…

 

 

Në të bëfsha një libër të madh dashurie,

Në faqen e fundit do vdes,

(E di prej shumë vjetësh…)

Prandaj nuk e shkruaj

Se cila shtëpi botimi merret

Me funerale poetësh?!

 

Ps.

Nuk besoj në festat e aq më shumë një datë të caktuar feste për dashurinë (!) si Shën Valentini dhe kjo poezi do të doja të mos i kujtonte askujt një festë…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here