Në Shkup parashikohet marshi i solidaritetit me protestat në Kosovë

0

Në rrjetin social Facebook është paralajmëruar mbajtja e një marshi solidarizues me protestat në Kosovë. Nga Unioni i Studentëve që bën organizimin e këtij marshi bëjnë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke bashkangjitur edhe thirrjen për mbarëvajtje të qetë dhe paqësore të marshit që do të organizohet këtë të shtunë.

‘Shenja’ kontaktoi me Enes Nezirin, anëtarin e Parlamentit Studentor në Universitetin e Evropës Juglindore, i cili është njëri ndër iniciatorët e këtij marshi.

Ai thotë se arsyeja kryesore për mbajtjen e këtij marshi është mbështetja për vëllezërit nga Kosova.

“Ata na kanë mbështetur po me të njëjtin rast, pra me protesta përkrahëse, siç ishin ato ditët e verës së korrikut që protestuam kundër vendimit të gjyqit në rastin “Monstra”, e me çka edhe ata moralisht na kanë mbështetur, ku në çdo qytet të Kosovës kanë marshuar me moton “SHKUPI JEMI ME TY”, deklaron Neziri.

Prandaj, ai thotë se nuk duhet ndejtur duarkryq vetëm të vëzhgojmë situatën në Prishtinë.

“Nuk përkon kjo nga humanizmi, solidarizmi, dhimbja, dëshira që kemi. Unë uroj që do pritet mirë nga secili shqiptar i Maqedonisë dhe që për më tepër presim të na mbështesin në këtë nismë që kemi marrë ne si studentë të Shkupit”, shprehet Neziri.

Ai thotë se studentët nuk janë të shtyrë nga asnjë organizatë pro apo joqeveritare, të asnjë lloji. “Thjesht, kjo bëhet me vetiniciativë si studentë, si qytetarë, si bashkëkombës i shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë janë të mirëseardhur në marshin për solidarizim për vëllezërit shqiptarë të Kosovës, por jo të politizuar, jo të prekur nga politika shqiptare e Maqedonisë. Nuk duam të ngjyrosim nismën tone me ndonjë parti politike kurrsesi”, thotë ai.

Neziri thotë se nuk janë të ndikuar nga asnjë parti opozitare qoftë e Kosovës apo e Maqedonisë.

“Kurrfarë kontakti nuk kemi me asnjë parti politike, ishte vetëm ideja jonë me disa miq e dashamirë, që të organizohemi. E rëndësishme është që të kemi një numër të mirë marshues, që t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se edhe ne jemi me ata, ne ata s’i lëmë kurrë vetë, sepse ne jemi shqiptarë, ne jemi vëllezër me ta”, deklaron Neziri.

Marshi i së shtunës është paraparë që të fillojë nga çarshia e Shkupit nga ora 13:00 dhe të përfundojë para ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here