Në samitin e Minskut arrihet marrëveshje e paqes për krizën në Ukrainë

0

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se në samitin e Minskut është arritur marrëveshja për armëpushim në lindje të Ukrainës.

Ai ka thënë se armëpushimi do të nisë më 15 shkurt dhe se armët e rënda do të tërhiqen nga zona e konfliktit.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar kërkon që rojet kufitare të Ukrainës të rivendosin kontrollin e kufirit të Ukrainës me Rusinë deri në fund të vitit 2015.

Ai ka shtuar se të gjitha trupat e huaja do të tërhiqen nga territori ukrainas dhe se të gjitha “pengjet” do të lirohen brenda tri javësh.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se samiti i Minskut ka sjellë një zgjidhje globale politike të krizës në Ukrainë.

Sipas tij, kjo është “lehtësim për Evropën” dhe “shpresë për Ukrainën”.

Samiti në Minsk midis udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës është zhvilluar gjatë gjithë natës, në përpjekje për të arritur deri te një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit në lindje të Ukrainës, midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Samiti është ndjekur nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, homologu i tij ukrainas, Petro Poroshenko, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande.

Në orën 6:00 të mëngjesit, bisedimet në pallatin presidencial të Minskut kanë kaluar më shumë se 12 orë.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar një burim të paidentifikuar diplomatik të ketë thënë se katër liderët do të nënshkruajnë një dokument për zgjidhje të konfliktit. Burimi nuk ka dhënë detaje për natyrën e dokumentit.

Agjencia TASS ka raportuar se dokumenti mbulon 12 ose 13 pika.

Para bisedimeve katërpalëshe, Poroshenko ka thënë se ato janë shansi i fundit për t’i dhënë fund konfliktit.

Katër udhëheqësit kanë mbajtur disa rrethe të bisedimeve me dyer të mbyllura, fillimisht midis tyre e më pas me ministrat e Jashtëm dhe ndihmësit e lartë dhe përsëri pa ndihmës.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte thënë se bisedimet “nuk janë të lehta”.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka shtyrë udhëtimin e planifikuar për në Brazil.

Për dallim, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kishte thënë se bisedimet janë duke shkuar “më mirë se shkëlqyeshëm”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here