Në përvjetorin e Nisma-së, Fatmir Limaj indiferent ndaj pushtetit lokal në Malishevë

0

Nisma për Kosovën e ka shënuar sot përvjetorin e themelimit të saj në Malishevë. Kryetari i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj së bashku me anëtarë tjerë të kryesisë së NISMA-s, dhe deputetë të NISMA-s, i kanë takuar të gjitha strukturat e degës së NISMA-s për Kosovën në Malishevë, ku janë pritur nga Kryetari i degës, Ragip Begaj, njëherit Kryetar i komunës së Malishevës. Kryetari Limaj sipas një komunikate për media nga Zyra për Informim e Nisma-së, i ka përshëndetur dhe falënderuar të gjithë bashkëvendasit e tij, që kanë dhënë kontribut për NISMA-n, ku gjithashtu ka folur për situatën politike në vend. “Në veçanti kryetari Limaj u ka folur për protestën kundër kapjes së shtetit, që do të mbahet më 18 Prill në Prishtinë, ku ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masovike, për një protestë paqësore dhe dinjitoze, e cila do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, është bërë me dije në komunikatë. Kryetari degës së NISMA-s në Malishevë, Ragip Begaj, i ka falënderuar udhëheqësit e NISMA-s për Kosovën, “për përkushtimin e madh që kanë treguar që nga themelimi i NISMA-s”. “Kryetari i NISMA-s në Malishevë Ragip Begaj, gjithashtu tha se sot ndihem mjaft krenar me punën dhe angazhimin e çdo qytetari të Malishevës që ka dhënë maksimumin e tij, që NISMA në Malishevë të jetë mjaftë e fuqishme në mbështetje të nevojave të qytetarëve tanë”, është theksuar në komunikatë e cila përfundon me njoftimin e Begajt se “NISMA në Malishevë është duke u mobilizuar mirë për të marr pjesë në protestën paqësore që do të mbahet më 18 Prill në Prishtinë”. Bazuar në komunikatën e Nisma-së, vërehet se kreu i Nisma-së Fatmir Limaj asnjë fjalë nuk e ka folur rreth pushtetit lokal në Malishevë e cila është e vetmja komunë në Kosovë ku pushtetin e drejton partia e tij, e prej nga është edhe vet ai. Del se në këtë takim që bazuar nga fotografitë shihet se është mbajtur në zyret e vogëla të Nisma-së në Malishevë, as nuk është analizuar puna e pushtetit lokal, as nuk është lavdëruar as nuk është kritikuar. Përkundër kësaj indifference të krerëve të partisë nga niveli qendror, partitë opozitare lokale në Malishevë çdo ditë adresojnë kritika e akuza të ndryshme për “kapje të shtetit” nga Nisma për Kosovën në Malishevë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here