Në operacionin e përbashkët të 8 shteteve, arrestohen 78 persona, për kontrabandim të migrantëve…

0

Policia e Kosovës ka bërë me dije sot se në hetimin e përbashkët të Francës, Gjermanisë, Çekisë, Sllovakisë, Austrisë, Hungarisë, Zvicrës, ku pjesëmarrëse ishte edhe Kosova, në mbështetje nga EUROPOL-i dhe EUROJUST-i, dje është realizuar një operacion i përbashkët në të gjitha shtetet e lartcekura, nën dyshimin e bazuar për ‘kontrabandim të migrantëve’, ‘falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘krim të organizuar’.
Ky rast i përbashkët sipas njoftimit është iniciuar dhe hetuar që nga fillimi i vitit 2014 nga Policia e Kosovës, së bashku me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas hetimeve intensive të kryera disamujore, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi mirë të organizuar, që në vazhdimësi merrej me kontrabandim të migrantëve nga Kosova për në shtetet e perëndimit.
Në lidhje me këtë rast, gjatë vitit 2014 janë organizuar edhe operacione të tjera në koordinim me shtetet e lartcekura. Me datën 5.11.2014 në Kosovë janë arrestuar 13 persona, në Gjermani 3 persona, në Hungari 7 persona dhe në Austri 8 persona, gjithsej vitin e kaluar janë arrestuar 31 persona.
Dje ndërkaq në operacionin e përbashkët të mbështetur nga EUROPOL-i dhe EUROJUST-i janë arrestuar 47 persona në të gjitha shtetet e lartcekura si në: Francë 12 persona, Gjermani 1 person, Çeki 16 persona, Sllovaki 2 persona, Austri 8 persona, Hungari 4 persona dhe Kosovë 4 persona.
Deri më tani lidhur me këtë rast janë arrestuar 78 persona të dyshuar në të gjitha shtetet e përmendura.
Ky grup gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale për kontrabandim të migrantëve përdornin rrugët nga Kosova përmes Serbisë për në Hungari, me qëllim që nga aty të vazhdonin për në shtetet tjera evropiane. Për transportimin e viktimave ky grup përdorte vetura dhe gjithashtu shfrytëzonte edhe linjat e rregullta të autobusëve për në Serbi. Çmimi për një migrant sillej nga 1800-3500 euro, varësisht destinacionit të fundit.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: vetura, kompjuterë, telefona, SIM kartela, hard drives, dokumente të falsifikuara të udhëtimit, dokumente të ndryshme bankare dhe mbi 52.000.00 euro.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here