Në oborrin e Kuvendit të Kosovës u zbulua përmendorja për personat e pagjetur

0

Në kuadër të shënimit të Ditës së të Pegjeturve dhe në përmbyllje të “Javës së të Pagjeturve”, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kryeministri Isa Mustafa dhe familjarë të personave të pagjetur, sot në oborrin e Kuvendit bënë zbulimin e Përmendores dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Në një adresim para familjarëve të personave të pagjetur, zbulimin e kësaj përmendoreje kryetari Veseli e konsideroi një akt institucional solidarizimi me dhimbjen e familjeve për 1.650 personat e pagjetur. Kreu i Kuvendit tha se qëllimi i organizimit të “Javës së të pagjeturve” dhe ngritja e përmendores, ishte përcjellja e një mesazhi human dhe paqeje, se këta njerëz u mungojnë të gjithëve dhe se institucionet e Republikës së Kosovës bashkëndiejnë dhembjen me familjarët e të pagjeturve. Ndërsa, atyre që i mbajnë ende trupat e tyre, t’u përcillet mesazhi human se është momenti i fundit që ata të kthehen në tokën e vet. “Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, dëshirojmë të përçojmë edhe mesazhin politik se fqinjësia e mirë dhe partneriteti janë përkushtim i Republikës së Kosovës, por ato mund të arrihen vetëm në atë moment kur shpirti i këtyre familjarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës do të jetë i qetë, kur këta njerëz që ende janë të pagjetur, të prehen në tokën e vet. Kjo është edhe simbolika e kësaj përmendoreje, e cila e shpreh tërësinë tonë, ndërsa ato pjesë që mungojnë janë pikërisht të pagjeturit tanë”, theksoi kryetari Veseli. Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndërkaq në këtë ceremoni deklaroi se sot është një ditë e rëndë. “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë, jemi të përkushtuar që të punojmë dhe sot ne morëm pjesë në një seancë të Kuvendit për të shënuar këtë ditë, por nuk do ta lëmë vetëm me këtë. Ne do të vazhdojmë më tutje që të punojmë në mënyrë që të identifikohen njerëzit tanë që janë humbur dhe nuk janë gjetur akoma, të kthehen në gjirin e familjeve të tyre, të marrin përgjegjësinë para ligjit dhe para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakrat, në zhdukjen e familjarëve tuaj”, u shpreh Mustafa. “Do ta bëjmë këtë çështje jo vetëm çështje të Kosovës, por do ta bëjmë edhe çështje ndërkombëtare që të krijohet një gjyqësor me çdo kusht, që për këtë të diskutohet në institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë edhe Brukselin, që të bëhet presion në Serbinë, në mënyrë që të kthehen familjarët tuaj dhe tanë, dhe poashtu jo vetëm që të kthehen, por edhe të marrin përgjegjësi para ligjit dhe drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakra, të gjithë ata që ishin pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe dhe të gjithë ata që e shkaktuan këtë dhimbje dhe këtë padrejtësi në vendin tone”, përmbylli ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here