Në Murqin të Krujës gjendet i vdekur, i rrëmbyeri në Durrës, Gazmend Çollaku

0

Sot në mëngjes në Krujë është gjetur një trup i pajetë. Policia ka konfirmuar se i vdekuri është Gazmend Çollaku. Ai ishte rrëmbyer një ditë më parë në Durrës nga 4 persona të maskuar që ishin të veshur me uniforma policie.

Pas këqyrjes së vendit ku u gjet trupi dhe verifikimeve të tjera, policia konfirmon se personi i ekzekutuar me armë zjarri është 40-vjeçari që u rrëmbye pasditen e së mërkurës në Durrës.

Trupi i pajetë është gjetur saktësisht në anë të rrugës, në fshatin Murqin të Krujës.

Ai ishte i lidhur këmbë e duar dhe me një plagë pas koke, që dyshohet se është shkaktuar nga një armë zjarri. Banorët e zonës, të cilët kanë parë trupin në rrugë, kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Policia pak më vonë ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit Gazmend Çollaku. Sipas verifikimeve të kryera nga policia, Çollaku është qëlluar pas koke me armë zjarri dhe ishte i lidhur me fashita plastike.

Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune, që tregojnë se ai ka bërë rezistencë për të mos hipur në mjet. Automjeti i personave që kanë kryer rrëmbimin e tij është një “Audi” me targa gjermane. Pas marrjes së informacionit, policia e ka ndjekur makinën e rrëmbyesve deri në Marikaj, ku ka humbur gjurmët mëngjesin e sotëm.

Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit, kur pritet që t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

gazi2

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here