Në Malishevë u mbajt konferenca “Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në Kosovë”

0

Organizuar nga Shoqata e Infektologëve të Kosovës dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, sot në Malishevë është mbajtur një konferencë njëditore në nivel të vendit, me temën “Ethet hemorragjike krime kongo në Kosovë”, ku morën pjesë infektologë kosovarë, ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, përfaqësuesë nga Ministria e Shëndetësisë, përfaqësuesit përgjegjës komunal, Peter Deplaces, parazitolog nga Zivcra, përfaqësuesë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, dhe rreth 250 pjesëmarrës nga fusha e shëndetësisë, epidemiologjisë dhe fushat tjera që ndërlidhen me ethet hemorragjike krime-kongo.
Në hapje të kësaj konference, përderisa ministri Agani, e quajti sfidë problemin e EHKK-së, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, i falënderoi të gjithë për angazhimin e tyre të deritanishëm, dhe kërkoi që të vazhdohet me punën e tyre nga institucionet përgjegjëse vendore, për luftimin dhe parandalimin e kësaj të keqe. Ndërsa dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UP, Sali Ahmeti, këtë konferencë dhe këtë temë, e quajti “të qëlluar në kohën dhe në vendin e duhur”.
Më pas, ka vazhduar konferenca sipas planifikimit, ku u fillua me prezantimin:“Ecuria e thumbimeve nga rriqrat nga viti 2007-2015 në Komunën e Malishevës”. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2013, janë shënuar më shumë raste të thumbimit 2686, 17 të infektuar dhe 6 të vdekur. Sipas të dhënave të grumbulluara, në vitin 2007, janë regjistruar më shumti raste me virusin e EHKK, ndërsa në vitin 2013, ka pasur më shumit vdekje. Nga paslufta, në Malishevë, kanë vdekur 18 persona nga EHKK, prej tyre, 12 meshkuj dhe 6 femra, dhe mosha mesatare sillet rreth 35 vjeç. Ky prezantim u bë nga personeli mjekësor i QKMF-së në Malishevë.
Ndërsa për “Karakteristikat e EHKK në rajonin e Prizrenit, me theks të veçantë në Malishevë”, e prezantoi drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik, Nurishahe Hulaj. Ndërsa “vështrimin e EHKK në Kosovë”, e paraqiti, Sali Ahmeti, sipas të cilit, ky shtam i virusit, është i emëruar Kosova-Hoti dhe është një virus vdekjeprurës. Foli për patofiziologjinë e EHKK. Ahmeti tha se në vitin 1954 në Kosovë janë paraqitur për herë të parë janë paraqitur EHKK në Nishor të Therandës. Sipas të dhënave, në vitin 1995 është shënuar viti më i rëndë i shpërthimit të kësaj epidemie, ku janë shënuar 46 raste me EHKK. Sipas Ahmetit, Malisheva, vazhdon të mbetet vatër natyrore e EHKK-së, por kjo varet edhe prej shumë faktorëve, e sidomos klimës. Maji, qershori dhe korriku, mbeten muajt kur ka më shumë raste, ndërsa sipas të dhënave, në aspektin gjinor, tek meshkujt janë shënuar më shumë raste të prekjes nga EHKK. Ahmeti, i paraqiti edhe format e veçanta klinike dhe ngjashmëritë e simptomave të EHKK me Ebollën, trajtimin e sëmundjes dhe të tjera.
Për kujdesin primar shëndetësor për EHKK, foli, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Besim Zogaj. Zogaj, i paraqiti në formë kronologjike të gjitha masat dhe kujdesin shëndetësor, që bëhet në nivelin primar të shëndetësisë, duke filluar nga ligjëratat që mbajnë në shkolla dhe vende tjera, largimi i rriqrave, menaxhimin e rasteve të dyshimta dhe organizimi i punës në përgjithësi, për trajtimin e rasteve.
“Predikorët e fatalitetit te EHKK gjatë epidemisë në vitin 2013”, i paraqiti Lindita Ajazaj. Sipas saj, 42.8 për qind e rasteve me EHKK, kanë përfunduar me fatalitet. Mosha e personave me EHKK ka qenë nga 0-75 vjeç. Doktoresha Ajazaj, i paraqiti në formë grafike të gjitha të dhënat nga hulumtimi, si rastet e dyshuara, rastet me EHKK dhe ato me fatalitetit, simptomat, manifestimet hemorragjike, manifestimet gastrointestinale, hepatite, kardiovaskulare, pulmonare, renale dhe nervore. Po ashtu u paraqitën edhe parametrat hematologjik dhe të dhëna të tjera të predikorëve të fatalitetit. Sipas saj, EHKK është një sëmundje kontagjioze me manifestime klinike të larmishme dhe zona endemike konsiderohet gjysma e komunave të vendit tonë.
Për detektimin e shtameve të virusit të EHKK në rriqrat në Kosovë, e prezantoi Kurtesh Sherifi, nga Fakulteti i Bujqësisë, dega e veterinarisë. Profesori Sherifi, foli për përhapjen e llojeve të rriqrave si vektor të sëmundjes, detektimin e virusit dhe prania e virusit në rriqra. Prejardhja e shtameve të virusit është e ndryshme. Në Malishevë, dominon rriqra Hyalomma, e cila është edhe bartëse. Sipas tij, bazuar në analiza dh hulumtimet e bëra, virusi i shtamit Kosova Hoti, ka prejardhjen nga Turqia, rreth 35 vjet më parë. Ky shtam ka ngjashmëri me shtamin Drozdov. Ndërsa shtami Kosova 1,ka preajdhrje prej Greqisë, 63 vite më parë. Sipas tij, nga hulumtimet e bëra, njëri nga rekomandimet është repelimi i kafshëve, si masë parandaluese për ndërprerjen e ciklit të shumimit të rriqrave. Përderisa, ende nuk kanë përfundime për rolin e kafshëve të egra në këtë drejtim, për çka u tha se po punohet në këtë drejtim.
Ndërsa, nuk u prezantuan edhe dy temat e planifikuara për strategjinë për luftimin dhe parandalimin e EHKK dhe për masat mbrojtëse, ku munguan Naser Ramadani nga IKSHP dhe Isme Humolli, të cilët i kishin paraqitur temat e tyre për prezantim në këtë konferencë.
Në fund të takimit, u zhvillua edhe një diskutim, lidhur me temat e prezantuara, ku u bënë pyetje ët ndryshme rreth temave dhe problematikës së EHKK, të paraqitura nga prezantuesit e temave të trajtuara në këtë konferencë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here