Në Malishevë, Drejtori ia heq njëshat djalit të deputetit

0

Izet Hoti, drejtor i Gjimnazit “Hamdi Berisha”, në Malishevë, i ka dhënë të drejtë vetes, duke përdorur autoritetin e tij, që të ndërhyjë në ditarin e shkollës dhe duke ia përmirësuar njëshat djalit të deputetit të “Nismës”, Enver Hotit. A.H, djali i deputetit, nxënës i klasës së 10 në Gjimnaz, jo vetëm që është i dobët në mësime, ai, madje, shumicën e kohës nuk e ka ndjekur mësimin. Nga pesë njëshat, sa i janë mbyllur në gjysmëvjetorin e dytë, drejtori ka ndërhyrë në vlerësimin e mësimdhënësve, duke ia përmirësuar tri njëshat, që e çon atë vetëm në riprovim dhe jo në humbje të vitit. Ky problem i ka rebeluar disa nga arsimtarët e shkollës, gjë që ka bërë të acarohet situata në atë shkollë.

Gazeta nuk ka arritur të flasë me asnjërin nga arsimtarët. Por, rasti do të ngrihet të mërkurën në institucionin më të lartë të Komunës së Malishevës, në Kuvendin Komunal. Asamblisti i PDK-së në Kuvendin e Malishevës, Ahmet Rrahmani, ka thënë për gazetën “Zëri” se grupi i tyre parlamentar është njoftuar me rastin nga arsimtarët e shkollës.

“Të mërkurën e kemi seancën e rregullt të Kuvendit dhe grupi ynë parlamentar do ta ngrejë si shqetësim këtë rast. Për rastin në fjalë jam informuar nga arsimtarët. Është gjest shumë i pahijshëm. Sipas profesorëve, ai nxënës i ka të gjithë njësha, por pesë nga ta janë kontestues në të cilët ka ndërhyrë drejtori pa lejen e profesorëve. Më e keqja është se ai nuk pranon ta japë ditarin për media e as askujt”, tha Rrahmani, duke e akuzuar partinë në pushtet që drejtorin Hoti e dërguan në shkollë si kompromis i fushatës. “Ai që një vit e gjysmë është ushtrues detyre. Po qëndron aty kundërligjshëm, ngase atë e ka sjellë aty partia në pushtet bashkë me Fatmir Limën. Këtë post ia kanë premtuar gjatë fushatës”, ka shtuar Rrahmani.

Drejtori i Gjimnazit, Izet Hoti, nuk ka dashur të komentojë shumë lidhur me këtë rast, madje ka refuzuar që të shikohet ditari. “Jo, nuk ia kam përmirësuar notat. Nëse del një arsimtar, i cili thotë se i është përmirësuar nota, unë jap përgjegjësi. Ditari nuk lejohet për t’u parë, nuk është punë juaja kjo. Është mirë të merreni me tjera sende jo me këso”, ka thënë shkurt drejtori Hoti.

Zëri

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here