Në “Lëndinën e Pikëllimit” në Meje u përmbyllë “Java e të pagjeturve”

0

Në Meje të Gjakovës në “”Lëndinën e Pikëllimit” me një tubim të madh përkujtimor është shënuar sot ngjarja përmbyllëse e “Javës së të pagjeturve të Kosovës”. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa duke marrë pjesë në përkujtimin e Masakrës së Mejës e Korenicës, ku më 27 prill 1999, u vranë dhe u zhdukën 377 shqiptarë ka thënë se “Lëndina e Pikëllimit” “është dhe do të mbetet përgjithmonë sinonim i dhembjes, i krenarisë, por edhe i kujtesës tonë kombëtare”. “Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare.
Përpara një monumenti të tillë të dhembjes dhe kujtesës kombëtare, ne përulemi me respekt dhe ndjehemi të detyruar të bëjmë çfarë është e mundur për të zbardhur fatin e të pagjeturve”, ka theksuar Mustafa.
“Ju garantoj se në përputhje me obligimet ligjore e kushtetuese, në harmoni me konventat ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës do të insistojë për t’ua krijuar kushtet e përshtatshme mekanizmave të sundimit të ligjit dhe të rendit, për të zbardhur në tërësi këtë ngjarje makabre dhe për të vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe ekzekutuesit e masakrës së Mejës dhe të gjitha masakrave tjera anembanë Kosovës”, është shprehur ai.
“Unë besoj se Kosova ka siguruar tashmë të drejtën që ta ketë mbështetjen e krejt botës për ta detyruar Serbinë të dorëzojë të gjitha viktimat shqiptare që i mban të fshehura. Krahas kësaj, jam i bindur se bota do të përkrahë edhe kërkesën tonë që Serbia të shtrëngohet për t’i dorëzuar fajtorët për krimet që janë kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë, në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, ka vënë në pah kryeministri.
“Do të punojmë me ngulm për të pagjeturit tanë, që të kërkohet zgjidhja në të gjitha instancat ndërkombëtare. Unë e di që keni pritur gjatë dhe çdo ditë e juaja është ditë e ankthit. Por, tash jemi në një tjetër gjendje, jemi një shtet i organizuar, jemi një shtet me shumë miq dhe me miqtë më të fortë që udhëhiqen nga parimet e drejtësisë dhe parimet e njerëzisë. Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, ju ftoj të gjithë juve që të bashkëpunojmë me institucionet kompetente për të plotësuar të gjitha detyrimet tona, në mënyrë që ta përshpejtojmë procesin e identifikimit dhe procesin e kthimit të njerëzve tanë, të mbledhim faktet, të ndërtojmë dosjet e krimeve, t’i argumentojmë akuzat dhe të avokojmë për përshpejtimin e procesit të vënies para drejtësisë të kryesve të krimeve në Kosovë”, ka bërë thirrje kreu i ekzekutivit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë në këtë tubim se “armiqtë vepruan për të na ndaluar të drejtën për të jetuar në trojet e tona”. “Sakrifica e madhe e popullit të Kosovës, bëri që ne sot të jetojmë të lirë, të lirë e me angazhim të ndërtojmë ardhmërinë tonë, shtetin tonë dhe te mos i harrojmë ata që më së shumti sakrifikuan për këto ditë që ne po i jetojmë”, ka theksuar Haradinaj. Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se 16 vjetë me parë, “Lëndina e pikëllimit”, ishte “vend i një krimi të papërshkruar, i një shfrenimi kriminal, ku pa asnjë dallim moshe apo gjinie, u ekzekutuan 376 persona, që të gjithë shqiptarë dhe banuesë të këtyre anëve dhe që të gjithë civilë e të pambrojtur”. “Tmerri i asaj dite, ishte një alarmues se pushtuesi ndjente humbjen, ajo ishte e përcaktuar tashmë për ta sepse krah nesh dhe luftëtarëve të lirisë, ishte edhe bota e civilizuar dhe demokratike. Por, qëllimi i tyre ishte shkatërrimi sa më shumë në masë, të lënë gjurmë sa më të thella në kohëzgjatje, që të lënë plagë shpirtërore, plagë të parikuperueshme, që të shkaktojnë humbje fizike”, ka theksuar ajo. Në emër të familjarëve të martirëve të Masakrës së Mejës e Koronicës ka folur përfaqësuesja e shoqatës “27 Prilli” Drita Sokoli.

Mimoza Isa, Kadriu

.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here