Në kohën e Kanunit e të “diktaturës” nuk ndodhte kështu

0

Gani Elezi

– Dje, nga të gjithë mediat, e sot nga shtypi i shkruar jepet njoftimi se dy të rinj, dy turistë çekë janë vrarë e hedhur në greminë në Malësinë e Shkodrës. U vranë dy të rinj fare, fare të pafajshëm dhe shumë shumë paqësorë. Mjafton të shikosh fotot e tyre, të një djali të ri dhe të një vajze të re, të vjen marrë, të vjen turp për sa ka ndodhur me ta, dhe përse ka ndodhur në vendin tonë, në Shqipëri. Është një akt që këto vitet e fundit po bëhet më i shpeshtë në trojet tona. Edhe para disa vitesh, dy të rinj, po çekë, u vranë në zonat veriore të vendit, po në Malësi të Shkodrës. Nuk u zbuluan as vrasësit dhe as arsyeja e vrasjes. Ngeli një enigmë, çka e rëndon edhe më shumë ndërgjegjen e çdo shqiptari për veprime të tilla bastarde, të papranueshme as nga morali ynë tradicional.

Udhëtarët e hershëm në malësitë tona, ndër më e njohura Edith Durham, kanë folur mbase edhe për karakterin e fortë të shqiptarëve, për doke e zakone të hershme, për prapambetje e kushtet të vështira të jetesës, për pozitën e gruas e të burrit në familje, etj, por kurrë nuk kanë folur për prerje në besë, për tradhti e vrasje të mikut. Përkundrazi kanë folur për trimërinë dhe mikpritjen tradicionale të shqiptarëve. Pikërisht këta udhëtarë të huaj kanë krijuar mitin e besës e të mikpritjes së shqiptarëve. Në trojet tona veç frikës nga ndonjë aksident, apo ndonjë kafshe të egër udhëtarëve të huaj nuk u shkonte në mëndje se mund të vriteshin, e kurrë se mund të vriteshin nga shqiptarët. Asnjë njeri nuk mund të pritej në besë, të vritej në fshatin e në shtëpinë e shqiptarit. Kanuni nuk e lejonte një veprim të tillë.

Edhe në udhëtime të gjata, në troje të tjera ata merrnin për besë eskorta me shqiptarë.  Me kanun edhe hasmin nuk mund ta vrisje në shtëpinë tënde, nëse të troket në derë, nuk mund ta vrisje edhe në kufi të fshatit tënd. Vrasja në kushte të tilla konsiderohej, “vrasje e keqe” dhe dënohej shumë rëndë. Kanuni kishte një pushtet të jashtëzakonshëm. Ndërsa në vitet e pushtetit popullor, para viteve 90-të, vrasje të tilla as që mendoheshin. Veç punës së madhe që bëhej për edukimin e njerëzve me vlera morale, si mikpritja, dashuria mes njerëzve, etj, kishte një kontroll të fuqishëm në çdo zonë, në çdo fshat e qendër të banuar. Policia dhe organet e sigurisë e njihnin dhe e kishin në kontroll të plotë situatën. Krimi, krimineli, edhe në se ndodhte, zbulohej dhe vihej para drejtësisë, pa asnjë hezitim. Ndërkohë, tani në kohët “moderne” krimi e krimineli as zbulohen e as ndëshkohen.

Dhe kjo ndodh sepse shteti nuk është funksional. Nuk funksionon si një linjë vertikale nga qendra, qeveria, deri në bazë, në bashkitë e komunat më të largëta. Institucionet e shtetit, ndër to organet e sigurisë (SHISH) e të policisë, më shumë punojnë sipas platformave dhe interesave të partive politike në pushtet e të grupeve të interesit, se sa në ruajtje të jetës së qytetarëve, edhe të miqve e turistëve që vizitojnë vendin tonë. Ngjarje të tilla kërkojnë që urgjentisht të forcohet aftësia investigative, kontrolluese e parandaluese në punën e shërbimit inteligjent dhe të policisë. Nuk ka asnjë justifikim për vrasje të tilla. Problem tjetër është rritja e rolit të pushtetit lokal edhe për çështje të sigurisë së jetës së qytetarëve. Ata më shumë se policia, përfaqësojnë pushtetin, që mbrojtjen e jetës së banorëve e ka detyrë parësore. Veç paaftësisë, në raste të tilla, ka edhe papërgjeshmëri të madhe në punën e pushtetit lokal, madje mund te ketë edhe lidhje interesi me njerëz të botës se krimit. Problemi tjetër ka të bëjë me krizën morale të shoqërisë, të familjes.

Familja dhe shoqëria, me apo pa dashje, po rrisin shumë të rinj që kënaqësinë e jetës e ndërtojnë mbi vjedhjen, krimin e veprime te tjera që vijnë në kundërshtim me ligjin dhe me moralin e shoqërisë. Ka edhe më keq. Media, shtypi, televizioni, kategorisë së “vipave”, që bëjnë jetë luksi i bën reklamë të madhe. Ky tip qytetari është model për të rinjtë, pavarësisht rrugëve e mjeteve që përdor për të pasur këtë pozitë. Vrasja e dy të rinjve çekë, këto ditë, si dhe vrasje e veprime të tjera kundër qytetarëve të huaj që udhëtojnë nëpër vendin tonë po krijon një opinion shumë të rëndë për Shqipërinë. Gati, gati po konsiderohet vend i rrezikut të lartë, vend i botës së tretë. Dalja nga kjo situatë është një sfidë e madhe për shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Por sfida më e afërt është zbulimi dhe ndëshkimi i vrasësve të të rinjve çekë. Para se të bëjnë gurgulenë e “madhe” edhe nëpër kryeqytetet e Evropës, për fitoren a humbjen e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, partitë politike shqiptare, ato në qeveri e ata në opozitë, duhet të merren seriozisht në sfidën e vendosjes së rendit e të sigurisë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here