Në këtë vend askush nuk përgjigjet për asgjë!

0

SALI BYTYÇI

Janë disa momente të cilat njeriut i mbeten gjatë në kujtesë, e disa të tjera gjatë gjithë jetës.
Një moment që më ka ngelur në kujtesë, e që ndoshta nuk do të më fshihet kurrë nga kujtesa, do t’ju rrëfej në vazhdim.
Ishin ditët e fundit të vitit 2000, ndërsa për mua javët e para që isha kthyer nga Burgu i Nishit, kohë kur pamjet më shfaqeshin përmes imazhesh të mjegulluara, gjysmë reale e gjysmë imagjinare. Edhe njerëzit më dukej që po lëviznin mbi një fushë imagjinare, të ngjyrosur me një ngjyrë të kuqërremtë, të dobët.
Në njërën nga këto ditë, hyra në një farmaci në Rahovec për të blerë disa ilaçe, mirëpo m’u desh të pres pak, sepse farmacisti ishte i zënë me dy djem të ri nga Malisheva, të cilët donin të merrnin ilaçe me shumicë, sigurisht për të furnizuar farmacinë e tyre. Në kohën kur hyra, sigurisht që ishin në mes të pazarit, farmacisti po ua vinte përpara pakot me ilaçe:
-Këto, – ua tregonte pakot, -kushtojnë 15 marka.
Largonte ato dhe ua vinte përpara pakot tjera, me të njëjtin lloj të ilaçeve:
-Këto kushtojnë 5 marka.
Normalisht, këto të fundit ishin ilaçe të skaduara.
Blerësit hamendeshin cilët pako t’i blinin, po në interes të tyre ishin ato të 5 eurove.
-Këto të 5 eurove, mirë…, po nëse ndodh diçka, atëherë duhet të…
Farmacisti e ndërpreu pa e kryer mendimin deri në fund sepse e dinte që blerësi donte të thoshte se nëse vdes dikush, atëherë përgjegjësia binte mbi ta…
-Nuk ka nevojë të frikësoheni sepse në këtë vend askush nuk përgjigjet për asgjë!
Gjatë kohës sa i thoshte farmacisti këto fjalë, mua më mbuluan djersë të ftohta në gjithë trupin. Ngase dikush fiton 10 marka në një pako ilaçe, unë nga një ilaç i tillë mund të marrë rrugën e pakshim.
Paskam shpëtuar kot, thashë më vete.
Shënim: Që një gjendje e tillë, kur askush nuk përgjigjet për asgjë, vazhdon edhe 15 vjet pas kësaj ngjarje, kjo nuk më ka shkuar kurrë ndërmend!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here