Në familjet e Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt konfuzion,asnjë informatë të sigurtë për fatin e djemve

0

Heshtja ka pllakosur fshatin Prekollug të Deçanit. Askush nuk pranon të flasë për të birin e fshatit, që tashmë autoritetet maqedonase kanë konfirmuar se është vrarë gjatë luftimeve në Kumanovë. Shtëpia e Beg Rizajt është e mbyllur në fshat. Vëllezërit e tij janë kthyer nga Anglia dhe Gjermania, mirëpo askush nuk ka qenë në fshatin e lindjes, ku vëllezërit Rizaj kanë një shtëpi të madhe në fshat.

Një grua ndez një zjarr afër shtëpisë, ku djeg mbeturina. Ajo thotë se njeh familjen Rizaj, që i kanë fqinj të parë. “I kemi pos me i pasë vllazën”, thotë ajo, tek konfirmon se në atë shtëpi ka një kohë të gjatë që nuk ka qenë askush i familjes.

E pyetur nëse di ndonjë gjë për fatin e Begut, ajo rrudh krahët. “Nuk dimë gjë…”, thotë në heshtje tek ul kokën, gjersa tymi i shkon syve.

Familja e Beg Rizajt nuk di për fatin e familjarit

Jo larg shtëpisë së Beg Rizajt, në Prekollug jeton familja Hadërgjonaj. Një burrë i lagjes thotë se janë kushëri me Rizajt. Por, as ai nuk ka informacione për fatin e kushëririt të tij.

“Ne po lexojmë disa lajme që Begu është vrarë. Por, ka shumë spekulime dhe nuk po besojmë”, thotë burri i lagjes, rreth të shtatëdhjetave.

Ai tregon se nuk ka pasur idenë që Begu ishte përfshirë në konflikte, si ai i Kumanovës. “Edhe sot isha në Deçan dhe më pyetën shumë njerëz se çka ka ndodhur me Begun. Por, asnjë informatë të saktë nuk e kemi”, thotë burri.

I biri i tij vazhdimisht mban në dorë një telefon, ku kërkon lajme më të reja. “Vazhdimisht po lexoj në portale. Po thonë që është vra Begu. Por, askush nuk po do me i besu këtij lajmi”, thotë ai.

Në fshat ekipi i gazetës “Zëri” ka kuptuar se vëllezërit e Begut sapo kishin ardhur nga Anglia dhe Gjermania. “Ata nuk kanë ardhë pa një arsye. Sigurisht dinë diçka”, thotë një fshatar.

I pari i fshatit, Shkëlzen Hadërgjonaj, thotë se Begun e ka takuar afërsisht para dhjetë ditësh. “Nuk e di ditën e saktë, por vonë jemi taku”, tregon ai.

As Shkëlzeni nuk ka informacione për fatin e kushëririt të tij, Beg Rizaj. “Nuk dimë se çka ka ndodhur me të. Nuk kemi asnjë informatë zyrtare”, thotë ai.

Familjarët nuk flasin

Hadërgjonaj ka treguar se me Beg Rizajn kanë qenë shokë të mirë që nga fëmijëria. “Ka të shoqen dhe pesë fëmijë që jetojnë në Prishtinë”, ka thënë i pari i fshatit.

Ai thotë se Beg Rizaj është i lindur më 1977, kurse të gjitha informatat e deritanishme rreth statusit të tij kanë qenë konfuze dhe të pabesueshme. “Andaj, nuk mund të themi asnjë gjë në këto momente”, thotë Hadërgjonaj, që punon kuzhinier në një restorant të Deçanit.

Ai ka provuar që ekipin e gazetës ta vërë në kontakt me vëllezërit e Beg Rizajt, mirëpo ata nuk kanë pranuar në asnjë rrethanë të kontaktojnë me mediet.

Në Gjakovë, ndërkaq, familja e Mirsad Ndrecajt, njërit prej miqve të mirë të Beg Rizajt, janë parë tepër të shqetësuar të enjten.

Ata nuk kanë pranuar në asnjë rrethanë të flasin për fatin e të afërmit të tyre. “Nuk mund të japim asnjë informacion. Ka vetëm spekulime në media”, ka thënë një grua me flokë të bardha, e vetmja e dalë nga shtëpia e Ndrecajt, që sipas autoriteteve maqedonase ka mbetur i vdekur.

Pasi ekipi i “Zërit” është larguar nga shtëpia e Ndrecajt, një veturë me ngjyrë të bardhë ka kaluar para shtëpisë së Mirsad Ndrecajt. “A mund të flas me Ju” ishte kërkesa e shoferit.

Personi që doli nga vetura është legjitimuar dhe në kushte anonimiteti ka sqaruar se disa djem nga Kosova kanë shkuar për të kuptuar më detajisht për fatin e Ndrecajt.

“Unë jam shok i tij. Kemi qenë bashkëluftëtarë”, ka thënë ai, duke potencuar se Mirsadi dhe miqtë e tij kanë rënë në një pritë, pas një tradhtie që iu është bërë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here