Në Ditën e Mësuesit, Mallzum Qejani mësimdhënësi më i nderuar

0

Mallzum Qejani, profesor në Gjimnazin “Dardania” të Hanit të Elezit është nderuar në Ditën e Mësuesit me titullin “mësuesi i vitit”. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami e ka ndarë çmimin vjetor “Shaban Jashari” për të dhe për 25 mësimdhënës të tjerë nga mbarë Kosova. Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira. Ministri Bajrami i ka uruar mësimdhënësit në gjithë Kosovën për këtë ditë të veçantë. “Ne kujtojmë rolin historik që kanë pasur mësimdhënësit e të gjitha niveleve në këto dy dekadat e fundit, kur mësimdhënësit e kanë mbajtur gjallë shpresën e lirisë, të pavarësisë dhe pikërisht ishte arsimi sfera më e rëndësishme e mbijetesës kombëtare që tregoi vitalitetin e popullit të Kosovës, rinisë dhe mësuesve të Kosovës për të kaluar sfidat me të cilat u ballafaquam dhe për të ndërtuar një të sotme, ku roli i mësuesit është një rol i respektuar nga shoqëria”, ka thënë ai. Më i nderuari Mallzum Qejani, ka thënë se ndihet i nderuar që iu nda ky çmim me këtë emër të madh të mësuesit Shaban Jashari. Ai ka theksuar se rrugëtimi i arsimit shqip ishte i vështirë dhe ka përmendur qëndresën heroike të arsimtarëve. Dita e Mësuesit në Kosovë përkon me datën 7 mars 1887, kur në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe. Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike. Shkolla qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtuesë të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Në Kosovë tri vite më parë u inaugurua çmimi “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar, prej kur u shndërruar në çmim tradicional. Veq manifestimit qendror për këtë ditë, manifestime janë mbajtur edhe në të gjitha komunat e Kosovës ku mësuesit dhe veteranët e arsimit janë nderuar me mirënjohje për punën e tyre. Njëkohësisht janë bërë homazhe edhe tek mësimdhënësit e vdekur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here