Në Ditën e Gruas VETVENDOSJE përkujton se vetëm 15 për qind e grave kosovare posedojnë pronë

0

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar një aktivitet simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ku është tërhequr vërejtja se në këtë ditë, në Kosovë, 55,5% e grave janë të papuna. Aktivistja Teutë Rrusta ka thënë se “papunësia e gruas vjen si rezultat i një modeli neoliberal, i kombinuar me sistemin patriarkal të vlerave që kanë shtypur dhe shpronësuar gruan”. “Vetëm 15% e grave në Kosovë posedojnë pronë, apo prona është e regjistruar në emër të tyre. Ndërsa nga privatizimi i ndërmarrjeve publike, shumë gra kanë mbetur pa punë dhe për pasojë kanë humbur pavarësinë ekonomike. Në anën tjetër, duhet vënë në spikamë llojin e punëve që e kryejnë gratë”, ka theksuar Rrusta. Ajo ka shtuar se “seksualizimi dhe stereotipizimi i punës është njëra ndër arsyet pse sot gratë e gjejnë rehatinë e tyre në zymtësinë shtëpiake, në varësinë nga burri dhe në punët e rënda fizike në shtëpi”. “Në fakt, punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët janë punë të cilat rëndojnë mbi gruan edhe nëse ajo është e punësuar me pagesë. Pra, puna dhe e drejta formale e ligjore, nuk e ka çliruar gruan nga moralizimi mbi të dhe seksualizimi i vendit të punës. Duhet të themelohen vlera të reja, të tjera, si në sferën publike, ashtu edhe në atë private, ku ndarja e punëve është e barabartë mes grave dhe burrave”, ka nënvizuar aktivistja Teutë Rrusta. “Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se angazhimi për barazi shoqërore në përgjithësi është projekt politik që nuk kuptohet dot pa angazhim të njëkohshëm të gruas. Ne mendojmë që gratë punëtore dhe të papuna duhet të angazhohen konkretisht. Angazhimi politik shfaqet para së gjithash si pjesëmarrje dhe jo vetëm si përfaqësim, është theksuar në një komunikatë të LVV-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here