Në Çikatovë u rivarrosën eshtrat e 21 personave që konsideroheshin të zhdukur, në ceremoni edhe krerët e shtetit

0

Në fshatrat Çikatovë të Komunës së Drenasit sot janë rivarrosur eshtrat e 21 personave, që konsideroheshin të zhdukur që nga viti 1999. Eshtrat dhe mbetje të tjera mortore të këtyre personave janë gjetur në Rudnicë të Rashkës një vit më parë. Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) ua ka dorëzuar këtë javë familjeve mbetjet e 21 të vrarëve, të cilët forcat serbe, në përpjekje për të fshehur krimin, i kishin zhdukur pa gjurmë që në kohën e luftës. Duke njoftuar për rivarrimin e sotëm në Drenas, Zyra e shtypit e EULEX-it, ka informuar se gjatë operacionit të zhvarrosjes i cili ka zgjatur dy muaj në Rashkë janë gjetur mbetjet e gjithsej 54 personave, janë bërë 53 identifikime ndërsa një person ende nuk është identifikuar pasi nuk ka përputhje të ADN-së. Në rivarrimin e personave të identifiuar, sot në Çikatovë ka marrë pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ka theksuar se “këta janë muajt më të vështirë për të gjithë ne në Kosovë, kur përkujtojmë tmerret që përjetuam si shoqëri dhe humbjet që i pësoi pothuajse çdo familje në Kosovë”.
Ajo ka nënvizuar se “rivarrimi në Çikatovë na përkujton sa shumë plagë mbesin të hapura dhe se kurrë nuk duhet rreshtur së kërkuari drejtësi për secilin qytetar të Kosovës”.
I pranishëm në ceremoninë mortore ka qenë edhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Kryeparlamentari Veseli ka shprehur dhembjen dhe solidaritetin me familjarët e martirëve, të cilëve iu kthyen më të dashurit e tyre pas 16 vjetëve.
Lidhur me këtë rast, në faqen e tij në facebook, kryetari Veseli ka vlerësuar se Kosova, 16 vite më parë, po përjetonte dramën më të rëndë në historinë e saj, gjenocidin, të cilin përgjatë një shekulli e projektuan qeveritë e ndryshme të nacionalizmit ekstremist serb.
“Por, Kosova mbijetoi dhe sot kur jemi të lirë duhet të mos harrojmë për asnjë moment çmimin që është dashur të paguajmë për lirinë tonë. Nderimi më i madh për të rënët tanë është që sot të mos e keqpërdorim lirinë”, ka theksuar kryetari i Kuvendit.

fetja

kadria jaklupi

varrimi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here