Në Bruksel arrihet pajtimi në parim për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale mes Kosovës dhe Serbisë

0

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog e Qeverisë, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës për çështjet e produkteve medicinale në Bruksel. Në këtë takim u bisedua për normalizimin e tregtisë për produkte medicinale përmes njohjes reciproke të Çertifikatave të Produkteve Medicinale (CPP) mes dy shteteve si dhe për çështjen e licencimit të kompanive të pjesës veriore që merren me importe të produkteve medicinale.
Gjatë bisedimeve që u zhvilluan me 21 maj 2015 me palën Serbe të ndërmjetësuar nga BE, u arrit pajtimi në parim për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale mes Kosovës dhe Serbisë. Konfirmimi i kësaj marrëveshje që pritet në ditët në vijim, nënkupton që barnat e prodhuara në Serbi të cilat deri tani janë vënë në qarkullim në Kosovë pa iu nënshtruar procedurave të regjistrimit tash e tutje do t’i nënshtrohen këtij procesi dhe do të plasohen në tregun e Kosovës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu prodhuesve në Kosovë u mundësohet plasimi i prodhimeve të tyre në tregun e Serbisë. Si rezultat i pranimit reciprok të Certifikatës së Produktit Farmaceutik (CPP), secili bar/medikamentë për të cilin bëhet aplikacion do të realizohet regjistrimi në vendin tjetër.
Çështje tjetër e cila është diskutuar sipas njioftimit nga kryeministria është edhe licencimi i barnatoreve dhe depove farmaceutike të cilat ndodhen në katër komunat veriore në Kosovë. Nga 19 kompani të cilat operojnë në këto katër komuna 6 tashmë janë të licencuara nga AKPPM dhe 13 të tjera do të bëhen angazhime që të nxiten kompanitë në veri që të aplikojnë për licencim pasi afati i lejuar në bazë të marrëveshjes së mëhershme në Bruksel skadon më 31 Maj 2015.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja, Edita Tahiri, kishte në përbërje, Arjeta Rexhaj, koordinatore për çështjen e produkteve medicinale, Arianit Jakupi , Drejtor ne Agjencionin për Produkte Medicinale, Ministria e Shëndetësisë, Bekim Fusha ,Drejtor ne Departamentin e Farmacisë, Ministria e Shëndetësisë si dhe Bekim Mehmetaj, Udhëheqës i Sektorit për MIK, Departamenti Doganor për Mbështetje Rajonale

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here