Në banesën ku u gjet i vrarë turku, u gjetën edhe 113 kg drogë-heroinë

0

Nejdet Cesuroglu, turku që njihej edhe me emrin shqiptar Lavdërim Limani, është një nga personat e shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për heroinën e gjetur në laboratorin e drogës që ishte ndërtuar në një fshat të Hasit.

Por, Cesuroglu rezulton të jetë gjetur i vdekur në Kosovë. Ai u gjet i vdekur në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, më 2 dhjetor të vitit të kaluar.

Dyshimet janë se turku është ekzekutuar me armë, ndërsa pak orë pas publikimit të lajmit për vdekjen e tij, në mediat kosovare janë zbardhur të tjera detaje nga operacioni që çoi policinë në zbulimin e trupit të 50-vjeçarit, por për ngjarjen ka reaguar edhe Prokuroria.

Organi i akuzës shqiptare është në pritje të letër porosisë me informacione për ngjarjen ku përfshihet Nejdet Cesuroglu dhe vdekjen e tij në rrethana misterioze në Prishtinë.

Prokuroria konfirmon gjithashtu edhe detajet e dala në mediat kosovare, se në vendin ku është gjetur i vdekur 50-vjeçari janë gjetur dhe 113 kg e 507 gram heroinë.

“Në kuadër të hetimeve për procedimin penal numër 339 të vitit 2016 është caktuar nga Gjykata për Krime të Rënda masa e sigurimit arrest në burg në mungesë për njërin prej personave të dyshuar si anëtar të grupit kriminal, shtetasit turk Nejdet Cesuroglu, që ka lidhje për faktin e zbulimit të laboratorit dhe të lëndës narkotike më datë 18.10.2018 në fshatin Brenogë Has. Nga Policia e Shtetit jemi njoftuar se më datë 02.12.2018 në Prishtinë, në kuadër të operacionit “FIRMA”, është gjetur i vdekur shtetasi turk Nejdet Cesuroglu, i datëlindjes 03.02.1969. Gjatë kontrollit të banesës, tek një dhomë e mbyllur janë gjetur tre valixhe të mbushura me 113 kg e 507 gram lëndë heroinë, për këtë fakt janë arrestuar nga autoritetet kosovarë katër shtetas”, sqaron Prokuroria.

Por në këtë operacion janë arrestuar edhe katër pesrona, të gjithë shtetas shqiptarë, që dyshohet se kanë lidhje me vdekjen/vrasjen e shtetasit turk.

Katër personat e arrestuar janë: S.Sh., M. Gj., Xh. Sh. dhe M. K..  Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës tha se Policia ka një kohë të gjatë që ka qenë duke e hetuar këtë grup.

“Rasti i mbrëmshëm ka të bëjë me një operacion që ka qenë duke u zhvilluar qe një kohë të gjatë ku ka rezultuar me arrestimin e katër personave. Katër të arrestuarit janë shtetas të Shqipërisë dhe sa i përket luftës ndaj narkotikëve kërkoj gjithashtu ndihmën e shteteve fqinje, pasi është një problem global. Detaje tjera për rastin nuk mund të zbuloj”, ka thënë Shillova në një konferencë për mediat një ditë pas aksionit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here