Ndryshimet në Kodin Rrugor, ja gjobat e reja pas shkurtit 2016

0

Dy ditë pasi Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, lançoi hartimin e një projekti për të ndëshkuar me gjoba më të larta makinat e reja dhe me të ulëta ato të vjetra, Policia e Shtetit ka sqaruar se çfarë përfshin realisht ky projekt. Mithat Tola, Drejtor i Qarkullimit Rrugor, sqaron se qëllimi është që mos t’i mbetet më efektivit të policisë apo Organit Administrativ Shtetëror (OASH) të vlerësojë masën e gjobës, por të ketë kritere të mirëpërcaktuara me ligj. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Tola shprehet për ndëshkime sipas vjetërsisë së patentës, sasisë së gjobave, cilindratës së mjetit dhe numrit të aksidenteve të kryera në harkun kohor të dy viteve. Drejtuesi i Policisë Rrugore thotë se projekti për gjobat progresive mbështetet në pikën 2 të nenit 193 të Kodit Rrugor. Ndërsa Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit duket se janë gati për ta zbatuar këtë projekt, juristët kanë paralajmëruar se gjobat progresive do të rrisin ndjeshëm ndërgjegjësimin te drejtuesit e mjeteve në vitet e ardhshme.

Z.Tola, çfarë do të thotë gjobë progresive?

Gjobat progresive do të hynë në fuqi në fund të shkurtit të vitit 2016. Aktualisht jemi në fazën e projekt-idesë, dizenjimit, ndërtimit dhe realisht duhet pak kohë sa të implementohet plotësisht. Të gjitha gjobat do të jenë progresive, nga minimumi deri në maksimum, ku sot të drejtën për të gjobitur e ka polici rrugor, pra si ta shikojë ai të arsyeshme. Por ky ndëshkim nuk është objektiv, pasi të lë shumë hapësirë për të abuzuar me ligjin. Prandaj ne jemi duke ndërtuar një sistem të automatizuar, i cili do të ketë katër faktorë bazë për llogaritjen e gjobës progresive siç janë vjetërsia e automjetit, cilindrat motorike, gjobat e marra gjatë dy viteve të fundit dhe koha e marrjes së patentës nga drejtuesit e mjetit.

Pra, për ta bërë më të qartë, si do të gjobiten pas muajit shkurtit drejtuest e mjeteve, nëse shkelin rregullat e qarkullimit rrugor?

Për çdo gjobë që do të vendoset, polici i qarkullimit rrugor do të asistohet nga salla operative. Në sallë gjenden të gjitha shkeljet e drejtuesit të mjetit që ka kryer gjatë dy viteve të fundit. Nëse drejtuesi i mjetit ka shkelur ligjin më shumë se 2 herë gjatë këtij harku kohor, atëherë ai do të dënohet maksimalisht, kuptohet brenda ligjit, pasi drejtuesi i mjetit i ka të dhënat personale të rënduara (përsëritës). E kundërta ndodh me një drejtues mjeti i cili nuk ka krye asnjë shkelje dhe do të dënohet minimalisht. P.sh., gjoba për mosvendosje të rripit të sigurimit, varion nga 1 mijë lekë deri në 3 mijë lekë. Kjo është diferenca për t’a bërë më të qartë për lexuesit. Pra, gjoba progresive, llogarit në bazë të një databaze (të dhënat e personalizuara), që ndodhet në sallën operative dhe nëpërmjet një algoritme matematikore përcakton edhe vlerën në lekë për çdo drejtues mjeti. Më pak fjalë unë do ta quaja këtë një “gjobë të personalizuar”.

Gjoba këshilluese, si funksionon?

Gjoba nuk është taksë, ata drejtues mjeti s’kanë pse të tremben nëse nuk ka bërë shumë shkelje, ndërsa të tjerët duhet të tremben, pasi ligji do të jetë shumë i rreptë. Pjesa e parë është këshillimi, deri më sot s’ka patur këshillim edhe pse ka qenë ekzistues, si p.sh.; mosndezja e dritës, mosvendosja e rripit, ku punonjësi i policisë do të ketë mundësinë t’i falë të paktën një herë drejtuesit e mjeteve. Në sistem do të shënohet sikur je ndëshkuar për kundravajtje ligjore, por vlera në lekë do të jetë zero. Kjo gjë funksionon vetëm një herë përgjatë 2 viteve. Nëse drejtuesi i mjetit do të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, atëherë do të dënohet në bazë të gjobës progresive, duke llogaritur si shkelje administrative edhe gjobën me taksën zero.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here