Ndjenjë e papërshkrueshme e Hashim Thaçit, për titullin “ulqinak nderi”

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me kryeministrin aktual të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama e kanë pranuar sot në Ulqin titullin “Qytetar Nderi” të Ulqinit. Ceremonisë i parapriu një takim katërpalësh në mes të zëvendëskryeministrit Thaçi, presidentit malazias Filip Vujanoviq, kryeministrit shqiptar Edi Rama, dhe kryetarit të komunës së Ulqinit, Fatmir Gjekës.
“Komuna e Ulqinit shpall ‘Qytetar nderi të Komunës së Ulqinit’ z. Hashim Thaçi, në shenjë vlerësimi dhe nderimi për rolin historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, integrimit euroatlantik dhe rolit shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi”, ishte motivacioni me të cilin kryetari Gjeka e shpalli zëvendëskryeministrin Thaçi qytetar nderi të Komunës së Ulqinit, që u bë në manifestimin tradicional “Dita e Ulqinit”. Thaçi e ka quajtur këtë ditë ndër më te veqantat prej se është në politikë, e siq ka thënë në politikë është shumë gjatë, aq sa kanë filluar t’i thinjën flokët. “Të jesh qytetar nderi i margaritarit mesdhetar të quajtur Ulqin në këtë ceremoni të paparë më herët më sjell emocione të thella”, ka thënë ndër të tjera Hashim Thaçi.

Më poshtë mund të lexoni, pjesë nga fjalimi i zv.kryeministrit Thaçi në ceremoninë e ndarjes së titullit “Qytetar Nderi i Ulqinit”:

“Te dashur miq nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqiperia, sot është një ditë e vecantë për mua, ndër më të vecantat prej se jam në politikë – e në politikë jam shumë gjatë, aq sa kanë filluar të më thinjën flokët pakëz.
Ky nderim i juaji e bën këtë ditë të vecantë për mua sepse të jesh qytetar nderi i margaritarit mesdhetar të quajtur Ulqin në këtë ceremoni të paparë më herët më sjell emocione të thella dhe I zgjojnë cdo kosovari kujtime të shumta.
Në të nëntëdhjetat e tmerrshme, kur portat e botës u mbyllën dhe kur terrori i paparë u përhap tek ne në Kosovë, Ulqini ishte oaza e ngushëllimit, ku së paku disa javë të verës mund të kujtonim se ka botë të bukur përtej realitetit të zymtë. Ju, më të dashurit ulqinakë, na dhatë shpresë dhe dashuri së paku disa javë të verës, cdo verë.
Ulqini është një urë. Ulqini shtrihet mbi një lum të famshëm Bunën, por është një urë e popujve dhe njerëzve. Kosova e njeh Malin e Zi, por edhe Mali i Zi e njëh Kosovën nëpërmjet Ulqinit.
Pak ka fëmijë kosovarë që nuk janë larë në pllazhet e Ulqinit. Pak ka pleqë kosovarë që nuk janë shëruar me rërën e Ulqinit. Dimri po përfundon ngadale me shkundjen e fundit të plakave dhe kur fillon vera, në Kosovë fillojnë planet të shkojmë në Ulqin. E vërtetë është se Rruga e Kombit e ka hapur Shqipërinë si kurrë më herët për turistët kosovarë, por të jeni të bindur që shumë prej atyre që kalojnë verën në Durrës, Sarandë apo Shëngjin, kalojnë së paku edhe disa ditë në Ulqin.
Historia e Kosovës është pandashëm e ngjizur me Ulqinin dhe ulqinakët. Kur ne hapëm Universitetin e Prishtinës, u hap edhe një dritare e emancipimit për ulqinakët. Në konviktet tona, në menzat tona, në shoqëritë tona u përfshinë edhe ulqinakët. U krijuan lidhjet e dashurisë, martesat, shoqëritë e pandashme që e bëjnë Ulqinin po aq Kosovë sa edhe Peja apo Prizreni. Fëmijët tanë në shkolla fillore janë rritur me vargjet e Hajro Ulqinakut.
Dashuria më e madhe, dashuri e pakrahasueshme u dha mu në verën e 1999, 16 vite më herët. Atëherë pranuat qinda mijëra kosovarë që ikën nga gjenocidi dhe gjetën shpëtim tek ju. Më lejoni të ju them se kurrë, kurrën e kurrës ne nuk do ta harrojmë këtë borxh që e kemi ndaj Ulqinit dhe Malit të Zi. President Vujanovic, Kryeminister Gjukanovic dhe Kryetar Gjeka – deri sa ka të gjallë kosovarë, ne nuk do ta harrojmë mikpritësinë dhe mbrojtjen që ju e bëtë për refugjatët kosovarë të verës së 1999. Ne nuk do ta harrojmë bukën dhe sofrën që e shtruat në verën e kobshme dhe ajo pike e historisë suaj do të shënohet me shkronja të arta. Ju shpëtuat shumë kosovarë dhe Kosova është e lirë sot edhe falë Ulqinit dhe Malit të Zi. Në emër të Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës – edhe një herë falëminderit për bujarinë e juaj të pashoqë, faleminderit Malit të Zi dhe Ulqinit që në kohërat më të vështira u dëshmuan si miq të pashoq.
Edhe Mali i Zi kur filloi betejën për pavarësi, ne ishim fare pranë dhe shumë përkrahës. Kosovarët e Ulqinit dhe ulqinakët e Kosovës kanë votuar jo 50%, jo 70%, jo 90% por 100% për Republikën sovrane të Malit të Zi, të bazuar në historinë e lavdishme të popullit malazias dhe rrolin e vecantë në këtë histori të shqiptarëve të Malit të Zi. Pavarësia e Kosovës dhe Pavarësia e Malit të Zi ishin procese simotra, një betejë e përbashkët për liri dhe barazi dhe lindja e shteteve tona do të shënohet në një kapitull të vetëm në historinë moderne të Europës.
Prandaj është ky nderim sot, të jem një qytetar i Ulqinit së bashku me Edin, një nder i vecantë. Ju po ma jepni një dekoratë që vec e konfirmon atë që e ndjej unë dhe shumë kosovarë tjerë – ne tashmë jemi ulqinakë dhe ndihemi në Ulqin si në shtëpinë tonë.
Dua të përfundoj aty ku fillova. Ulqini më kalanë e vet, Ulqini me detin e kaltër dhe Ulqini me ulqinakët janë një urë. Urë midis Kosovës dhe Malit të Zi. Ja që Rruga e Kombit e futi në këtë vallë miqësh edhe Shqipërinë dhe ne tash kalojmë kah Shqipëria të mbërrijmë tek Ulqini i dashur. Nuk udhëtojmë më 9 apo 10 orë të vijmë tek ju por nisemi në mëngjez dhe mbërrijmë në mëngjez për të pirë kafe tek Pllazha e Vogël, afër Xhamisë së Marinarit, për 4 orë. Vizitat tona vec sa e përforcojnë marrëdhëniet dhe lidhjet mes Podgoricës dhe Prishtinës.
Unë falënderoj lidershipin malazias për takimet që patëm që në fillim të vitit dhe do të jem nikoqiri i juaji edhe një herë në fund të këtij muaji kur ta nënshkruajmë vijën e përbashkët kufitare. Bashkëpunimi në mes kryeqyteteve tona është shumë i mirë, mund ta quaj edhe shembullor. Ne mezi presim që Mali i Zi të hyn në NATO dhe BE sepse kjo na bën edhe neve në Kosovë më të sigurtë.
Ne i gëzohemi progresit politik dhe dialogut midis malazezëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi sepse e dijmë se vec me shqiptarët e integruar në Mal të Zi, Kosova përfiton dhe siguron ardhmërinë e vet. Kosova do të jetë fqinje dhe përkrahëse e Malit të Zi sepse Ulqini na lidh dhe Ulqini na përkujton për historinë e përbashkët të dy popujve.
Ulqini bashkon njerëzit edhe mijëra kilometra larg Ballkanit. E dini se kur shkoj në Nju Jork, bukën e ha në restorane të ulqinakëve? Jo vetëm unë, por e mbarë bota takohet në restoranet e famshme ulqinake në Amerikë.
Prandaj, për këto arsye që i numërova, edhe një herë, sot ishte në ditë e vecantë për mua, ta quaj vehtën ulqinak i nderit. Ju fëleminderit për këtë ceremoni madhështore, ju falënderoj për nderin që ma bëtë dhe ju falënderoj edhe një herë nga zemra dhe në emër të Kosovës për qinda mijëra e mijëra momente të dashurisë, zemërgjërësisë dhe miqësisë që ndër vite i dëshmuat Kosovës.
Faleminderit Ulqinit per titullin Qytetar Nderi! Shqiptaret me afer se kurre mes veti me shume se kurre te sfiduar nga e ardhmja e perbashket.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here