Ndeshja me Serbinë mund të mos luhet në Shkodër

0

Pavarësisht dëshirës dhe optimizmit për zhvillimin e ndeshjes Shqipëri – Serbi në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, realizimi i saj nuk është aq i thjeshtë. Pengesa kryesore është UEFA dhe rregulloret e saj për kualifikueset e Euro 2016, ndërsa një “ndihmë” në moszhvillimin e ndeshjes së 8 tetorit në impiantin e qytetit verior mund ta japë edhe Serbia, e cila mund të refuzojë të luajë në një stadium të palicencuar në fillim të edicionit.

Rregulloret e UEFA-s për kualifikueset e Euro 2016 flasin qartë për sa u përket stadiumeve, në të cilat luhen këto ndeshje. Neni 22 i rregulloreve saktëson se federatat duhej të paraqitnin një listë të stadiumeve për aprovimin nga administrata e UEFA-s, brenda 60 ditëve nga data e caktimit të kalendarit të ndeshjeve. Që në këtë pikë, vetë UEFA mund ta refuzojë zhvillimin e ndeshjes Shqipëri – Serbi në Shkodër, pasi stadiumi i këtij qyteti nuk figuron në listën e licencuar të impianteve të Kategorisë 4, në të cilat janë parashikuar të luhen ndeshjet e Euro 2016. Në fillimin e edicionit, FSHF-ja ishte e përqendruar vetëm tek “Elbasan Arena” dhe rikonstruksioni i tij sipas standardit të kërkuar, duke vënë si “rast emergjence” stadiumin “Qemal Stafa” të kryeqytetit si zgjedhje të dytë në formularin e UEFA-s, edhe pse ai nuk plotëson standardet. Gjatë muajve të fundit, zyrtarë të FSHF-së kanë udhëtuar disa herë drejt Nionit për të paraqitur para UEFA-s planin për rikonstruksionin e “Loro Boriçit”, duke marrë një përgjigje parimore pozitive për tejkalimin e rregullës së mësipërme, gjithmonë nëse ndërtohej brenda afateve një tjetër impiant i standardeve të larta si ai i Elbasanit.

Por pikërisht ndërtimi është pengesa e dytë në këtë çështje. Rregullorja parashikon që stadiumi ku do të luhet ndeshja, duhet të caktohet të paktën 120 ditë para datës së zhvillimit të saj. Kjo do të thotë se FSHF-ja duhet të zyrtarizojë zhvillimin e ndeshjes në stadiumin “Loro Boriçi” brenda datës 10 qershor. Kuptohet që nëse kërkohet që takimi ndaj Serbisë të zhvillohet në Shkodër, në atë datë i pranishëm në Shqipëri do të jetë një inspektor i UEFA-s për të parë se si kanë ecur punimet në impiantin që rindërtohet dhe për t’i hapur dritën e gjelbër. Ndaj, pjesa e punës për të bindur UEFA-n të pranojë stadiumin e ri në listën e saj, duhet kryer në dy muajt e ardhshëm, deri me datën 10 qershor. Në situatën aktuale, një gjë e tillë duket e parealizueshme, pasi në këtë impiant nuk është vënë ende dorë as për të filluar prishjen e tribunës ekzistuese. Nëse UEFA nuk ndryshon rregullat për të dytën herë dhe vendos të shtyjë datën e caktimit të stadiumit për këtë ndeshje, më 10 qershor, stadiumi “Loro Boriçi” do të jetë në hapat fillestarë të rikonstruksionit, pa asnjë garanci reale të përfundimit në kohë të tribunës kryesore të tij, i cili është shqetësimi kryesor.

Në eventualitetin që gjatë kësaj periudhe punohet sipas planit “me tre turne pa ndërprerje” (siç ndodhi në ditët e fundit për “Elbasan Arena”) për të realizuar në kohë impiantin, pengesa e fundit dhe shumë e rëndësishme në këtë situatë mund të vijë nga Beogradi. Ndonëse UEFA është ajo që vendos veton për stadiumet ku luhen ndeshjet e eliminatoreve, që nga koha kur ka centralizuar të drejtat televizive dhe shpërndan të ardhurat nga ato, ajo merr thuajse gjithmonë vendimet rreth çështjeve të tilla pas një akordi mes palëve. Duke pasur parasysh ngjarjet e Beogradit dhe atmosferën e tensionuar mes dy federatave që nga 14 tetori, drejtuesit e futbollit europian nuk kanë ndër mend të ndezin shkëndija të tjera për ndeshjen e kthimit mes dy kombëtareve. Ndaj, nëse Federata Serbe do të refuzojë të luajë në Shkodër, UEFA nuk do të marrë vendim drastik, por do të kërkojë që takimi të zhvillohet sipas planit fillestar, në “Elbasan Arena”.

Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here